Ish-deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka ashpërsuar tonet ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po përdor taktika propagandistike dhe narrativa të fabrikuara për të larguar vëmendjen nga problemet që, sipas tij, rëndojnë mbi qeverinë.
Gjatë një interviste televizive, Vasili deklaroi se Rama po rikthen metoda që ngjasojnë me praktikat e së kaluarës, duke shpikur “armikë” dhe “agjentura” të ndryshme për të justifikuar situatën politike dhe për të shmangur debatin mbi çështjet reale.
“Kemi të bëjmë me një kryeministër të inkriminuar, të gatshëm të luajë lojërat më të rrezikshme kundër popullit shqiptar. Sot ai fabrikon histori dhe agjentura imagjinare, ashtu si dikur kërkoheshin armiqtë e brendshëm për të mbuluar problemet e pushtetit”, u shpreh Vasili.
Duke komentuar debatet rreth projektit turistik në Zvërnec, ai akuzoi kryeministrin për deklarata kontradiktore dhe mungesë transparence. Sipas Vasilit, Rama fillimisht e prezantoi projektin si një investim madhor me vlerë miliarda euro, ndërsa më pas deklaroi se projekti nuk ekzistonte në formën që paraqitej në publik.
“Si mund të flasësh për një projekt me vlerë miliarda euro dhe më pas të thuash se ai projekt nuk ekziston? Këto janë kontradikta që kërkojnë shpjegim”, tha ai.
Vasili kritikoi gjithashtu përdorimin e emrit të familjes së presidentit amerikan Donald Trump në debatin publik për projektin, duke pretenduar se kjo është bërë për të krijuar perceptimin e një përfshirjeje direkte të interesave amerikane.
Sipas tij, dokumentet publike tregojnë se investimi nuk financohet drejtpërdrejt nga familja Trump apo nga shteti amerikan, ndërsa kërkoi më shumë transparencë mbi strukturat financiare dhe investitorët që qëndrojnë pas projektit.
Ish-deputeti ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi ligjin e investimeve strategjike, duke argumentuar se zgjatja e tij ka krijuar hapësira për polemika dhe kundërshtime të shumta në lidhje me pronat dhe projektet zhvillimore në vend.
“Në vend që të japë përgjigje për këto çështje, kryeministri zgjedh të krijojë histori dhe përplasje artificiale. Shqiptarët e kanë kuptuar tashmë se përballë kanë një qeveri që nuk ofron transparencë dhe llogaridhënie”, deklaroi Vasili.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur protestat kundër qeverisë dhe projekteve të diskutueshme turistike vijojnë si në Shqipëri ashtu edhe në diasporë, duke mbajtur të ndezur debatin politik në vend.
