Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me gjuhën e urrejtjes dhe dhunën online, duke e akuzuar kreun e qeverisë për hipokrizi dhe përpjekje për të manipuluar opinionin publik.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Këlliçi e cilësoi Ramën si “njeriun më të urryer sot në çdo hapësirë shqiptare”, duke ironizuar shqetësimin e tij për dhunën verbale në internet.
Sipas deputetit demokrat, kryeministri po përpiqet të paraqitet si mbrojtës i etikës publike, ndërkohë që, sipas tij, ka ushtruar presion ndaj kundërshtarëve politikë dhe kritikëve gjatë viteve të qeverisjes.
“Na shfaqet pacifist, dhunuesi më i madh online, shkelësi më i madh i të drejtave të shqiptarëve, sunduesi që ndërsen dhjetëra institucione e inspektorë ndaj kritikëve”, shkruan Këlliçi.
Ai përmend një sërë ngjarjesh dhe vendimesh të qeverisë, duke akuzuar Ramën për përdorim të forcës ndaj protestuesve dhe për censurë të vazhdueshme ndaj zërave kritikë.
Në reagimin e tij, Këlliçi kundërshton edhe pretendimet e kryeministrit lidhur me pjesëmarrësit në aktivitete publike dhe koncerte, duke argumentuar se shumë prej tyre janë njëkohësisht pjesë e protestave kundër qeverisë.
“Është shprehje e dëshpërimit të një kryeministri të korruptuar që po zbohet nga populli i tij, t’i paraqesë ata të koncertit sikur qenkan me të dhe kundër protestës”, shprehet ai.
Deklaratat e deputetit vijnë në një moment kur protestat kundër qeverisë vijojnë në Tiranë dhe në disa qytete ku jeton diaspora shqiptare, ndërsa debati politik në vend mbetet i tensionuar.
