Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, aktualisht deputet i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca , i cili është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për shkelje të barazisë në tendera akuzohet se në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë të Ministrisë kanë favorizuar Gjon Radovanin si përfitues i tenderit për rikonstruksionin e 4 komisariateve.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se sipas SPAK, Plarent Ndreca dhe zyrtarët e Ministrisë e kanë privilegjuar Radovanin në të gjitha fazat e procedurës së prokurimit dhe në përfundim e kanë shpallur fitues dhe lidhur kontratë me bashkimin e Operatorëve ekonomikë, Derbi-E shpk,ndërkohë që nuk përmbushte kriteret ligjore. Radovani sikurse rezulton në dosjen e SPAK rezulton të jetë mik me ish-ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, me të cilin ka shkëmbyer dhe mesazhe. E duket se për shkak të njohjeve dhe lidhjeve me titullarin e institucionit, kompania e tij ka fituar dhe tendera pranë ministrisë së Brendshme.
Hetimet
Nga hetimet rezulton se mes Radovanit i cili ka qenë konsulent në Ministrinë e Brendshme për këtë tender dhe të pandehurit Plarent Ndreca janë shkëmbyer emaile, që përmbajnë të dhëna lidhur me ambientet e komisariateve Vlorë, Pogradec dhe Mirditë, të cilët do të rikonstruktoheshin. Sipas SPAK të dhënat i janë përcjellë paraprakisht shtetasit Gjon Radovani, i cili është ortak i APE shpk që u shpall fitues si bashkim operatorësh me Derbi-E shpk, në procedurën e prokurimit.
Në dosje thuhet se mes Ndrecës dhe Radovanit por edhe zyrtarëve të tjerë të ministrisë janë zhvilluar takime dhe kanë diskutuar lidhur me gjendjen e objekteve policore. “Nga ky komunikim provohet se i pandehuri Plarent Ndreca ka patur dijeni paraprakisht lidhur me angazhimin dhe pjesmarrjen e shtetasit Gjon Radovanit në hartimin e projekteve tip për objekte të policisë së shtetit për të cilat do të zhvillohej më pas dhe procedura e prokurimit”, thekson SPAK.
