Kreu i PD-së, Sali Berisha është rikthyer në selinë blu pas gati 11 muajsh. Ish-kryeministri Berisha mbërriti në godinën e PD-së pasi GJKKO revokoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj tij. Simpatizantët mbajnë në duar flamurin e SHBA-ve dhe të Partisë Demokratike. GJKKO mori sot vendimin për të liruar kreun e PD-së që ndodhej në arrest shtëpie prej datës 30 Dhjetor 2023.
“Të dashur miq, u krye edhe kjo punë. Piramida më e madhe e mashtrimit në historinë e drejtësisë europiane mori sot goditjen më fatale. Përshëndes çdo shqiptar me mirënjohjen më të madhe”, tha Berisha.
Berisha: Përshëndes çdo shqiptar me mirënjohjen më të madhe, sot Shqipëria u ndriçua nga rrezet e para të rikthimit të pandalshëm të demokracisë. Sot është dita kur monstrat e demokracisë Edi Rama dhe Xhorxh Soros dështuan përfundimisht, dështuan në tentativën e tyre për të shkatërruar opozitën shqiptare me grushtin e shtetit që i bënë asaj. Sot ne së bashku, sakrifica e 330 ditëve, mundi tre vitet e triumfoi dhe u shpërblye.Sot nuk fitoi Sali Berisha por fitoj e vërteta.
Vendimin për lirimin e Sali Berishës nga arresti shtëpiak u mor nga gjyqtarja Flojera Davidhi.
“Sot, më datë 27.11.2024 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, bazuar në nenet 228, 229, 230, 237 dhe 260 të K.Pr.Penale ka vendosur pranimin e kërkesës së kërkuesit të pandehurit Sali Berisha dhe revokimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”,”– thuhet në vendimin e GJKKO-së
