I shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare, Durim Bami, i arrestuar pak ditë më parë në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, kërkon të mos ekstradohet, me pretendimin se në Shqipëri i rrezikohet jeta. Sipas mbrojtësve të tij ligjorë në Shqipëri, Bami ka pretenduar para autoriteteve arabe se janë ta paktën 16 persona në Shqipëri, brenda e jashtë burgut, që kërkojnë ta eliminojnë fizikisht. Ai ka listuar edhe emrat e këtyre personave, një pjesë e të cilëve janë në dosjen penale të SPAK, të disa grupeve kriminale që kanë thurur plane, apo siguruar kushte për vrasjen e tij. Arrestimi i Bamit në Dubai u konfirmua zyrtarisht të hënën nga Policia e Shtetit.
Bami u prangos teksa ishte në shoqërinë e disa familjarëve të tij, për llogari të një urdhër-arresti të firmosur nga Gjykata e Posaçme për veprat penale të “sigurimit të kushteve për të kryer vrasje”, “grup i strukturuar kriminal”, “kultivim i narkotikëve dhe kryerja e veprave nga organizata kriminale”. Në qershor të këtij viti, gati një muaj pasi u shpall në kërkim nga SPAK, Bami u arrestua në Dubai, por në pak ditë u la i lirë. Shqipëria nuk ka një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe, por tre muaj më parë edhe në mungesë të saj, autoritetet e Dubait transferuan në Shqipëri pa dëshirën e tyre të kërkuarit Plarent Dervishaj dhe Julian Meçaj
Porositi vrasjen e ish-deputetit socialist, kush është Durim Bami?
Durim Bami 45 vjeç, akuzohet për organizimin dhe porositjen e vrasjes së mbetur në tentativë të ish-deputetit socialist Arben Ndoka, pasi ky i fundit organizoi një atentat ndaj tij në nëntor të vitit 2020. SPAK goditi shtatë grupe kriminale dhe ngriti akuza kundrejt pesëdhjetë të dyshuarve në maj të këtij viti, një nga goditjet më të gjera kundër strukturave të krimit të organizuar në vend, të cilat shtrinin aktivitetin e tyre në një pjesë të madhe të territorit, nga Shkodra në Lezhë, Mamurras, Fushë-Krujë, Rrëshen, Burrel, Tiranë, Shijak, Durrës, Fier e Vlorë, duke zbardhur tetëmbëdhjetë episode kriminale, hetim që u mundësua falë ndihmës së vendeve partnere si dhe institucioneve Eurojust dhe Europol.
Sipas dosjes, e cila përfshin aktivitete kriminale prej pak më shumë se një vit nga fillimi i vitit 2020 deri në fillimin e vitit 2021, Bami u vu nën shënjestër për t’u ekzekutuar nga Arben Ndoka, për shkak se Ndoka dyshonte se ishte organizator i vrasjes së vëllait të tij Aleksandër Ndoka. Atentati ndaj Bamit në nëntor 2020 dështoi, gjë që solli plane nga ana e Bamit për të vrarë Arben Ndokën. Në dosjen e shtatë bandave, Bami paraqitet si një biznesmen i fuqishëm, i cili porosit dhe organizon vrasje, kultivon kanabis në sasi të stërmëdha dhe në një territor të gjerë nga bregdeti i Adriatikut deri në malësinë e Krujës si dhe korrupton policë të ndryshëm për çështje nga më të ndryshmet, nga lejimi i muzikës së lartë për lokalin e tij të parapëlqyer në Tiranë te mosraportimi i krimeve apo vonesa e inspektimeve kundër kultivimit të drogës.
Ai paraqitet në një rast si agjent pronash të patundshme kur një person i paidentifikuar i kërkon ndihmë për të shitur një mjedis biznesi në Tiranë “për një nga çunat e Anglisë” me sipërfaqe 240 metra katrorë dhe më çmim 4 mijë euro për metër katrorë. Komunikimet e Bamit në Sky ECC sugjerojnë se ai e gjeti blerësin potencial me shpejtësi duke e prezantuar ofertën si shumë të mirë pasi, në zonën e Komunës së Parisit, ku gjendej prona për shitje, sipas Bamit, çmimet arrijnë në 7 mijë euro për metër katro
