Protesta kundër projektit të zhvillimit në Zvërnec ka vijuar edhe mbrëmjen e sotme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku mijëra qytetarë kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj planit të ndërtimit në zonën e mbrojtur.
Mes pankartave dhe brohorimave, protestuesit kanë artikuluar thirrje të forta kundër qeverisë, duke kërkuar anulimin e menjëhershëm të projektit. “Shqipëria është e shqiptarëve, jo e tradhtarëve” dhe “Turp, turp, s’ka dialog” ishin disa nga sloganet që u dëgjuan gjatë tubimit.
Pjesëmarrësit akuzojnë qeverinë për favorizim të interesave private dhe kërkojnë mbrojtjen e territorit që, sipas tyre, ka vlera të rëndësishme mjedisore dhe publike. Ata kanë deklaruar se nuk do të ndalin mobilizimin deri në tërheqjen e projektit.
Protesta po zhvillohet nën masa sigurie dhe deri tani nuk raportohen incidente të rënda, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje që tubimi të ruajë karakterin paqësor.
Kjo është dita e tretë radhazi e protestave në Tiranë, ndërsa kundërshtimi ndaj projektit në Zvërnec po shoqërohet me kërkesa për më shumë transparencë dhe konsultim publik nga institucionet shtetërore.
