Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar aleatët e NATO dhe vendet që përfitojnë nga transporti detar përmes Ngushtica e Hormuzit se duhet të kontribuojnë në sigurimin e kësaj rruge strategjike.
Në një intervistë për gazetën Financial Times, Trump u shpreh se është e arsyeshme që vendet që përfitojnë nga kjo rrugë detare të ndihmojnë për ta mbajtur atë të hapur dhe të sigurt.
Sipas tij, ndër vendet që duhet të kontribuojnë janë edhe Kina dhe disa shtete të tjera të mëdha ekonomike që varen nga furnizimet me energji që kalojnë përmes kësaj ngushtice.
Trump theksoi se Kina siguron një pjesë shumë të madhe të naftës së saj përmes kësaj rruge dhe shtoi se dëshiron të dijë qëndrimin e Pekinit përpara një takimi të planifikuar me presidentin kinez Xi Jinping.
Ai paralajmëroi se nëse Kina nuk ndërmerr hapa për të kontribuar në sigurinë e zonës, mund të shtyhet edhe samiti i planifikuar mes dy liderëve.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një moment tensioni të lartë në rajon, pasi Irani ka bllokuar përkohësisht Ngushticën e Hormuzit pas sulmeve të ndërmarra nga SHBA dhe Izraeli kundër objektivave iraniane.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të energjisë në botë, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
