Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se Uashingtoni synon të rivendosë bllokadën ndaj porteve iraniane, ndërsa ka garantuar se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për lundrimin ndërkombëtar.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se masat do të synojnë vetëm anijet dhe klientët e lidhur me Iranin, ndërsa vendet e tjera do të vijojnë ta përdorin lirshëm korridorin strategjik detar.
“Ngushtica e Hormuzit është e hapur dhe do të mbetet e hapur, me ose pa Iranin. Ne po rivendosim bllokadën iraniane, e cila do të ndalojë vetëm anijet ose klientët e Iranit të hyjnë ose të dalin”, shkroi presidenti amerikan.
Trump shtoi se Shtetet e Bashkuara do të marrin rolin e “rojeve të Ngushticës së Hormuzit”, me synimin për të garantuar sigurinë e lundrimit dhe të transportit ndërkombëtar në këtë zonë.
Sipas tij, Uashingtoni planifikon të vendosë një tarifë prej 20 për qind mbi ngarkesat e transportuara nëpër ngushticë, për të mbuluar kostot e operacionit të sigurisë.
“Procesi dhe organizimi do të nisin menjëherë”, përfundoi Trump.
Deklarata vjen në një moment tensionesh të larta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ndërsa çdo kufizim në Ngushticën e Hormuzit mund të ketë ndikim të rëndësishëm në transportin detar dhe tregjet globale të energjisë.
