Shpërthimi me tritol i regjistruar një ditë më parë në zonën e “Nënë Terezës” në Kamëz vijon të jetë në sitën e hetimeve teksa detaje të reja kanë dalë në dritë.
Ditën e sotme u raportua se lidhur me ngjarjen janë arrestuar 3 nga autorët e rastit, ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër.
Konkretisht është arrestuar: Jeton Lami 31 vjeç (ish-efektiv i operacionales), Florin Domi, 30 vjeç dhe Flogert Mezhika, 34 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim Elvis Lami.

Dinamika e ngjarjes
Lokali “Perla e Detit” në Kamëz të cilit ju vendos tritol ishte marrë me qira nga dy kunetër, konkretisht Klodjan Murati dhe Benard Elezi, por ndërkohë lokali ishte në pronësi të shtetasit Saimir Sinës, i cili jeton në Itali.
Sipas burimeve, autorët dhe dy kunetërit që kishin marrë lokalin me qira kanë qenë pjesë e të njëjtit grup gjobvënësish, por pas konflikteve janë ndarë.
Të njëjtat burime sqarojnë se tre të arrestuarit i kishin vendosur gjobë 500 mijë euro pronarit të lokalit, Saimir Sina.
Arsyeja ka qenë pasi ata i kërkonin që lokalin të mos ua linte me qira dy kunetërve Klodjan Muratit dhe Benard Elezit dhe për këtë arsye e kishin paralajmëruar se nëse nuk largonte ata nga lokali do të duhet tu jepte atyre gjobën prej 500 mijë eurosh.
Ky i fundit ka refuzuar ta paguajë gjobën dhe për këtë arsye ndaj tij është vendosur një sasi tritoli e ka cila ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të djeshëm.
Elvis Lami dhe Jeton Lami, emra të dëgjuar për policinë
Jeton Lami, një nga personat e arrestuar për tritolin në Kamëz është ish-oficer i operacionales. Ai është arrestuar më herët për shpërdorim detyre pasi akuzohej se shoqëronte Ervis Martinajn para se ai të zhduket.
Elvis Lami i cili është shpallur në kërkim është gjithashtu një emër i dëgjuar për policinë.
Raportohet se Lami, përpara këtij krimi ka qenë person i kërkuar nga drejtësia pasi dyshohet për vrasjen e postierit Lulëzim Visha.
Çfarë thotë Policia për rastin
Zbardhet brenda 24 orëve dhe dokumentohet, si rezultat i aplikimit të metodave proaktive, ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Kamëz, ku një biznesi iu vendos lëndë plasëse.
Identifikohen 4 autorët e dyshuar. Vihen në pranga 3 prej tyre, ndërsa vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Personit dhe Pronës të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5 dhe nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i informacioneve të siguruara dhe aplikimit të metodave proaktive, zbardhën dhe dokumentuan ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamëz.
Në kuadër të operacionit “Motivi” u vunë në pranga për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, shtetasit:
-J. L., 31 vjeç, F. D., 30 vjeç, F. M., 34 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E. L., 31 vjeç, të katërt banues në Kamëz.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë hedhur lëndë eksplozive në fasadën e jashtme të biznesit, duke shkaktuar dëme materiale, për shkak të mosdhënies së një shume prej 500 000 euro, të kërkuar në formë gjobëvënieje ndaj pronarit të objektit, shtetasit S. S.
