Të dhënat e ASHK tregojnë se numri i transaksioneve të shitblerjeve me pasuritë e paluajtshme pësoi tkurrje në vitin 2023. Rënia është më e theksuar në Tiranë, ku këto transaksione u reduktuan për të dytin vit radhazi. Megjithatë, aktorët e tregut mendojnë se transaksionet e shitjes japin vetëm një tablo të pjesshme të tregut. Sipas tyre, në kushtet e volumit të madh të ndërtimeve të reja, një pjesë e konsiderueshme e shitjeve bëhen me kontrata porosie.
Numri i transaksioneve të shitblerjeve të pasurive të paluajtshme pësoi rënie vitin e kaluar, sipas të dhënave nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK).
Mbështetur në shifrat e ASHK-së, vitin e kaluar u regjistruan gjithsej 35690 transaksione të shitblerjes së pasurive të paluajtshme, në rënie me 5.8% krahasuar me një vit më parë. Një shifër e tillë dëshmon se tregu i pronave ka pësuar frenim vitin e kaluar.no call Patricia Doyle.
Shifrat e ASHK dëshmojnë se tregu i pronave arriti rritjen maksimale në vitin 2021, me zgjerim vjetor të transaksioneve prej 44%. Rritja shumë e lartë mund të jetë ndikuar edhe nga efekti i bazës krahasuese, për shkak se viti i parë i pandemisë dhe mbylljet e vendosura sollën disa kufizime edhe në këtë treg.
Por, viti 2021, solli rritje të shpejtë të tregut. Rritja vijoi me ritme dyshifrore edhe në vitin 2022, me 14%. Ky vit shënoi edhe pikun në numrin e transaksioneve, me 37,900 të tilla.
Viti 2023 solli një lloj frenimi, por sidoqoftë numri i transaksioneve ngelet i lartë dhe dukshëm mbi nivelet e periudhës 2020-2021.
Megjithatë, duhet pasur parasysh se një pjesë e konsiderueshme e transaksioneve në tregun e pasurive të paluajtshme kryhen edhe nëpërmjet kontratave të porosisë.
Kjo ndodh në rastet kur pronat blihen përpara përfundimit ose përpara regjistrimit të tyre në Kadastër, ndërsa kontrata e shitblerjes lidhet në një moment të dytë, pas regjistrimit të pronës.
Duke pasur parasysh volumin e konsiderueshëm të ndërtimeve të reja në vitet e fundit, mund të arrihet në përfundimin se edhe shitjet me kontratë porosie zënë një pjesë të rëndësishme. Megjithatë, ecuria e shitblerjeve padyshim jep në vija të përgjithshme tendencat e tregut.
Këto tendenca tregojnë se, ndonëse tregu i pasurive të paluajtshme ngelet dinamik dhe i shëndetshëm, frenimi filloi të shfaqej vitin e kaluar.
