Një tragjedi ka ndodhur në fshatin Jabllanicë të komunës së Gjakovës, ku tre fëmijë kanë humbur jetën pas shembjes së një ndërtese të vjetër dhe të braktisur.
Policia e Kosovës ka njoftuar se tre djem, dy prej të cilëve 15 vjeç dhe një 14 vjeç, ishin brenda ndërtesës që u shemb pasditen e së shtunës.
Gazetari nga Kosova, Selamir Qerimi, bën me dije se hetimet janë duke u zhvilluar nën dyshimet për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Ai shtoi se dyshohet se shembja mund të jetë shkaktuar nga loja e fëmijëve në brendësi të ndërtesës.
“Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës dhe trupat e viktimave janë gjetur në orët e vona të natës, duke sugjeruar se ata kanë qëndruar në ndërtesë për disa orë. Banorët e fshatit kanë pohuar se ndërtesa ishte e pabanuar që nga përfundimi i luftës së vitit 1999, dhe se ajo kishte shërbyer si dyqan ushqimor para luftës. Pas luftës, ndërtesa ishte djegur nga forcat serbe dhe kishte mbetur e braktisur.
Sipas dëshmive, pronari i ndërtesës kishte vendosur tela me gjemba dhe kishte mbyllur objektin në përpjekje për ta ruajtur si një relikt të luftës.
Fakti që ka një kamerë sigurie që regjistron ngjarjen, por që nuk tregon qartë se çfarë ka ndodhur. Në fillim, fëmijët po luanin në afërsi të objektit, më pas ata kanë kaluar rrethimin dhe janë futur brenda, ku ka dyshime se shembja mund të jetë shkaktuar nga aktiviteti i tyre.
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka hapur hetime nën dyshimet për “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe po punon në bashkërendim me policinë për të ndriçuar këtë rast tragjik.
Hetimet janë duke u zhvilluar për të zbuluar shkaqet e shembjes së objektit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë që mund të ketë për këtë tragjedi, me qëllim që të merren masa për shmangien e ngjarjeve të ngjashme në të ardhmen.
Tre fëmijët e familjeve Rama, Morina dhe Mehmetaj, të moshës 13 dhe 15 vjeç, do të varrosen sot në orën 14:00 në varrezat e fshatit.”
