Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka bërë publik identitetin e tre prej viktimave që humbën jetën në tragjedinë e ndodhur në Vjenë, ku një skelë u shemb gjatë punimeve në një kantier ndërtimi.
Sipas njoftimit zyrtar, tre nga katër viktimat janë shtetas nga Kosova dhe janë identifikuar si Pajtim Bajrami (1990), Asllan Musliu (1977) dhe Istref Zekaj. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Alsergrundit, ku një pjesë e strukturës u rrëzua papritur duke zënë poshtë punëtorët.
Ambasada konfirmoi se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet austriake për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, ndërsa po ndjek nga afër çdo zhvillim të mëtejshëm.
Në reagimin e saj, ambasada shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e jetëve dhe u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave, duke garantuar gjithashtu mbështetje për të afërmit e tyre në këtë moment të vështirë.
Tragjedia ka tronditur opinionin publik, ndërsa autoritetet në Austri vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet që çuan në shembjen fatale të skelës.
