Një tragjedi e rëndë tronditi Zvicrën në natën e ndërrimit të viteve, kur një zjarr shkatërrues shpërtheu në lokalin e njohur “Le Constellation” në resortin e skive Crans-Montana, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 47 personave dhe plagosjen e mbi 100 të tjerëve, shumica adoleshentë.
Sipas hetimeve paraprake dhe dëshmive të të mbijetuarve, zjarri dyshohet se nisi nga fishekzjarret e vendosura në grykën e shisheve të shampanjës gjatë një shfaqjeje festive brenda lokalit. Një kamariere, e ngritur mbi supet e një kolegu, mbante shishen me fishekzjarrë shumë pranë tavanit prej druri, i cili mori flakë brenda pak sekondash.
Flakët u përhapën me shpejtësi të jashtëzakonshme, ndërsa temperatura brenda lokalit u rrit në nivele ekstreme. Tavani, muret dhe mobiliet, sipas autoriteteve, nuk kishin mbrojtje të mjaftueshme kundër zjarrit, duke krijuar atë që ekspertët e quajnë “efekti i furrës”. Oksigjeni i kanalizuar nga sistemi i ventilimit përshpejtoi përhapjen e flakëve dhe shpërthimet pasuese.
Panik i madh shpërtheu mes qindra personave që ndodheshin në bodrumin e lokalit. Daljet e pakta dhe shkallët e ngushta u kthyen në kurthe vdekjeje, ndërsa njerëzit përpiqeshin të shpëtonin. Dëshmitarët flasin për skena tronditëse, me persona të djegur rëndë që dilnin jashtë, disa pothuajse pa rroba, të tjerë të shtrirë pa ndjenja.
Alarmi u dha rreth orës 01:32, por për shumë prej të pranishmëve ishte tepër vonë. Zjarrfikësit, policia, ambulancat dhe helikopterët e emergjencës u angazhuan në një operacion masiv shpëtimi, ndërsa spitalet në Zvicër dhe Itali u vunë në gatishmëri maksimale për të pranuar të plagosurit.
Autoritetet zvicerane kanë përjashtuar pistën e një sulmi terrorist, duke e cilësuar ngjarjen si aksident, por hetimet po fokusohen në dyshime për neglizhencë të rëndë, veçanërisht në lidhje me masat e sigurisë nga zjarri, funksionimin e sistemit të spërkatësve, daljet e emergjencës dhe numrin real të personave brenda lokalit në momentin e tragjedisë.
Identifikimi i viktimave po rezulton jashtëzakonisht i vështirë për shkak të djegieve të rënda, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se procesi mund të zgjasë me javë. Ndërkohë, familjarë nga vende të ndryshme të Europës vijojnë kërkimet për të afërmit e tyre të zhdukur.
Ngjarja konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda në historinë e fundit të Zvicrës dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë në ambientet e natës, veçanërisht gjatë festave masive.
