Tragjedi pas tryezës së festës: Nëna dhe vajza 15-vjeçare humbin jetën pas dyshimeve për helmim ushqimor

Data

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë gjatë festave të Krishtlindjeve, ku një vajzë 15-vjeçare dhe nëna e saj kanë ndërruar jetë brenda pak orësh nga njëra-tjetra. Dyshimet e para të autoriteteve lidhen me një helmim të mundshëm nga ushqimi, pas një darke familjare me peshk dhe produkte deti.

Vajza, Sara Di Vita, humbi jetën të shtunën në mbrëmje, ndërsa nëna e saj, Antonella Di Ielsi, ndërroi jetë disa orë më vonë, në mëngjesin e së dielës. Babai i vajzës, 55 vjeç, ndodhet ende i shtruar në spital nën kujdes mjekësor, ndërsa motra 20-vjeçare nuk ka shfaqur simptoma.

Familja jetonte në Pietracatella, në provincën e Campobasso-s. Prej disa ditësh, anëtarët e familjes kishin shfaqur shqetësime shëndetësore dhe ishin paraqitur dy herë në urgjencë, por fillimisht gjendja nuk u konsiderua e rëndë dhe ata u dërguan në shtëpi. Situata u përkeqësua ndjeshëm të shtunën pasdite, kur vajza u shtrua në kujdes intensiv, ku ndërroi jetë rreth orës 22:30.

Sipas mediave vendase, gjatë darkës së Krishtlindjeve ishin konsumuar peshk, ushqime deti dhe midhje. Në të njëjtën darkë morën pjesë edhe persona të tjerë, të cilët nuk shfaqën probleme shëndetësore. Vetëm pas disa orësh, prindërit dhe vajza nisën të ndiheshin keq, me dhimbje dhe ngërçe të forta.

Prokuroria ka urdhëruar kryerjen e autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes dhe për të sqaruar nëse bëhet fjalë për helmim ushqimor apo për një intolerancë të rëndë ushqimore.

Kryebashkiaku i Pietracatella-s ka shprehur ngushëllimet për familjen, duke e cilësuar ngjarjen si një tragjedi që ka tronditur të gjithë komunitetin.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related