Pasi kishin mbajtur një distancë njohëse nga superkomisioni parlamentar “Xhafaj”, Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan javën e kaluar qëndrimin e tyre përmes një njoftimi për shtyp të lëshuar nga ambasada në Tiranë, në të cilin thuhej: “Si partnerë të palëkundur të përpjekjeve të Shqipërisë për të çuar përpara reformat e nevojshme për anëtarësim në BE, Ambasada e SHBA do të angazhohet me komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit. Ne presim që puna e komisionit të jetë përfshirëse dhe transparente, në përputhje me kushtetutën, në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve, si dhe të përmirësojë të ardhmen e Shqipërisë”.
Ishte pikërisht ky qëndrimi që pritej: Përfshirja, angazhimi me gjithë spektrin kuptimor që nënkupton kjo fjalë. Që nga asistenca me ekspertë dhe ekspertizë, deri të monitorimi nga afër i produktit të komisionit. Njëlloj siç kanë berë me Reformën në Drejtësi të vitit 2016 dhe në gjithë procesin plot pengesa e sterkëmbësha të zbatimit të saj.
