Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse ka goditur komunitetin shqiptar dhe grek në Zakynthos, ku një fëmijë 2-vjeçar humbi jetën pasi u sulmua për vdekje nga një qen i racës pitbull në shtëpinë e tij. Tragjedia ndodhi më 6 dhjetor, në fshatin Agios Leon, ku familja jetonte prej vitesh.
Qeni, i marrë nga rruga, nuk kishte shfaqur më parë agresivitet
Sipas autoriteteve greke, deri më sot nuk ka asnjë informatë që tregon se qeni kishte shfaqur sjellje agresive. Aktualisht, me urdhër të prokurorisë, pitbulli është vendosur në një strehë dhe nesër do t’i nënshtrohet kontrollit veterinar.
Kryetari i bashkisë së Zakynthos, George Stasinopoulos, u shpreh për ERT:
“Nuk dihet ende se si ndodhi sulmi dhe si e gjeti fëmija vdekjen. Gjatë javës së ardhshme, një komision prej pesë anëtarësh do të vendosë nëse kafsha do të ekzekutohet apo do të qëndrojë në strehë.”
Sulmi i tmerrshëm që i mori jetën vogëlushit
Në momentin e ngjarjes, fëmija ndodhej brenda shtëpisë vetëm me qenin. Pitbulli e sulmoi me dhunë, duke i shkaktuar plagë të rënda në trup dhe në fyt.
Prindërit – babai shqiptar dhe nëna britanike – të cilët besohet të mos kenë qenë në dhomë në momentin e sulmit, u liruan pa asnjë kusht nga prokurori.
Babai i vogëlushit, ende i tronditur, tregoi:
“Më thirri vajza e vogël dhe vrapova menjëherë. Djali im iku… E mora qenin nga rruga sepse thoshin se do të hante kafshët e fshatit. Doja ta shpëtoja, dhe ai më mori djalin tim. Djali më pa, më buzëqeshi dhe mbylli sytë.”
Mjekët: “Nuk kemi parë kurrë një pamje të tillë”
I mituri mbërriti në spital në gjendje kritike. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të rënda.
Stafi mjekësor deklaroi:
“Ne nuk kemi parë kurrë një pamje të tillë.”
Familja ishte e njohur për dashurinë ndaj kafshëve
Mediat greke raportojnë se prindërit ishin të njohur në zonë për kujdesin ndaj kafshëve endacake. Pitbulli ishte adoptuar vetëm pak javë më parë, pasi më herët kishte jetuar në rrugë.
