Detaje të reja kanë dalë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 7 maj në Qafë Gjashtë të Sarandë, ku mbeti i vrarë biznesmeni Rexhep Ismaili dhe u plagos Konstandin Vogli.
Sipas të dhënave të publikuara në emisionin “Në Shënjestër”, hetuesit dyshojnë se shkaku kryesor i konfliktit ishte një përplasje e vjetër për një pronë në zonën bregdetare të Krorëzit, mes Konstandin Vogli dhe Viktor Ruçi.
Nga hetimet paraprake rezulton se objektivi i grupit që mbërriti në lokalin e vëllezërve Ismaili nuk ishte biznesmeni i vrarë, por Viktor Ruçi, i cili ndodhej në tavolinë me të. Konflikti fillimisht nisi fizikisht me sende të forta dhe më pas degradoi në përdorimin e armëve automatike.
Në dëshminë e tij para grupit hetues, Konstandin Vogli pranoi se kishte organizuar mbledhjen e disa personave për t’u përballur me Viktor Ruçin, pas një konflikti dhe kërcënimi që pretendon se kishte marrë prej tij.
“Unë kam pasur një konflikt të vjetër me Viktor Ruçin, pasi ky para një viti donte të ndërtonte një lokal ngjitur me timin në Krorëz”, ka deklaruar ai para hetuesve.
Sipas dosjes hetimore, një nga personat e kontaktuar nga Vogli ishte edhe Lulzim Tabaku, i shpallur tashmë në kërkim si autor i dyshuar i vrasjes së Rexhep Ismaili.
Hetuesit kanë dokumentuar gjithashtu lëvizjet e automjeteve dhe motorëve të përdorur nga grupi, ndërsa gjatë kontrolleve janë sekuestruar armë, fishekë dhe mjete të tjera që dyshohet se janë përdorur në konflikt.
Një element kyç i hetimit mbetet fakti se prona në Krorëz, për të cilën lindi përplasja, nuk rezulton e regjistruar ligjërisht në emër të asnjërës prej palëve të përfshira.
Sipas grupit hetues, përplasjet për kontrollin e hapësirave bregdetare dhe interesat ekonomike në zonat turistike vijojnë të jenë ndër burimet kryesore të konflikteve kriminale në jug të vendit.
