Toka me qira dhe gosti elektorale: Si po blihen votat nga socialistët në Fier

Data

Në fillim të janarit, Drejtoria e Artit dhe Kulturës në Bashkinë e Fierit çeli një tender me objekt “Festojmë me emigrantët fierakë në Greqi”.

Aktiviteti përshkruhej si ‘koncert festiv’, për të cilin bashkia kërkonte të punësonte tre këngëtarë nga Fieri, një autobus transporti 30 vendësh dhe një koordinator.

I planifikuar të zhvillohej në Athinë në kohën kur partitë politike janë përfshirë në një garë të ethshme për votën e diasporës, koncerti u anulua.

“E anuluam sepse nuk kishim bërë njoftimin pesë ditë përpara në KQZ. Aktiviteti në Athinë u zhvillua, por pa bashkinë”, tha kryebashkiaku Armando Subashi për BIRN.

Aktiviteti u denoncua nga opozita si përpjekje për përdorimin e parave publike për të joshur votën e emigrantëve. Tërheqja e bashkisë erdhi vetëm pas denoncimit.

Por për përfaqësuesit lokalë të opozitës në Bashkinë e Fierit, kjo nuk është përpjekja e vetme për tjetërsim të votës përmes përdorimit të fondeve publike apo shkeljes së ligjit elektoral.

Opozita denoncoi gjithashtu dhënien e mijëra metra katrorëve tokë me qira nga Këshilli Bashkiak i dominuar nga socialistët, me qëllim sipas tyre për të ndikuar në zgjedhjet e 11 majit.

“Është skandaloze mënyra se si merren vendimet në këtë Këshill. Po të japësh pasuritë publike me “sy mbyllur” pa një relacion shpjegues, qoftë edhe vetëm si procedurë, është kriminale”, tha këshilltari i Partisë Demokratike, Endri Jaupaj për BIRN.

Kryebashkiaku Armando Subashi mohoi akuzat.

“Ne jemi në punë, bashkia do vazhdojë punën normalisht”, tha ai, duke pretenduar se procedurat për dhënien e tokës nuk ishin përfunduar dhe vendimi ishte vetëm në parim.

Toka me qira para zgjedhjeve

Katër projektvendime për dhënie me qera të pasurive publike u morën me shumicën e votave të këshilltarëve socialistë në mbledhjen e datë 30 janar të Këshillit Bashkiak në Fier. Tokat ndodhen në Asturkas, Libofshë, Sheq, Marinas, Topojë, Bregas, Frakull si dhe dy pasuri brenda në qytet.

Dhënia e tyre me qira u bë sipas opozitës pa transparencë dhe se as këshilltarët socialistë nuk e dinin se çfarë votuan. Asnjë prej vendimmarrjeve nuk ishte i shoqëruar me dokumentacion dhe këshillatarët votuan pa e ditur as sipërfaqjen e secilës prej pasurive publike që bashkia do të japë me qira. Në pikat respektive të rendit të ditës, përshkruhej vetëm vendodhja dhe numri kadastral i pasurive.

Këshilltarët e partive të tjera votuan kundër dhe thanë se do ankimojnë vendimet, që sipas tyre janë një përpjekje për të tjetërsuar votën përmes përdorimit të pasurisë publike.

“Ne do ta ankimojmë vendimin, fillimisht te prefekti e më pas do ndjekim shkallët e gjyqësorit. Ndërkohë do sinjalizojmë edhe KQZ për këtë vendimarrje”, tha Kreshnik Dapi, këshilltar i Partisë SocialDemokrate.

“Është marrë vendim për dhënien e pasurive publike, pa asnjë informacion për përfitimet që do të ketë komuniteti, subjektet që përfitojnë dhe për çfarë do shfrytëzohen këto toka”, shtoi ai.

Këshilltarët e partive në opozitë shtuan gjithashtu se në Këshill u votua pa pasur informacion. “Sigurisht që ka efekte elektorale një pasuri e tillë e dhënë në këtë moment para zgjedhjeve,” shtoi më tej Dapi.

Kryetarja e Këshillit Bashkiak, Antoneta Çuni pranoi se nuk ishte në dijeni të detajeve për dhënien e tokave me qira dhe këmbënguli se detyra e saj ishte vetëm të drejtojë mbledhjet.

 

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related