Thellohet lufta mes kryetares së Parlamentit, Elisa Spiropali dhe zv/kryeministres Belinda Balluku. Ditën e djeshme, Kuvendi i Shqipërisë ka qenë skena e një përballjeje të papritur dhe të turpshme mes dy figurave kyçe të qeverisë. Spiropali, në fillim të seancës, deklaroi se Balluku ishte jashtë shtetit dhe për këtë arsye nuk mund të merrte pjesë në interpelancën e kërkuar nga deputeti Agron Shehaj. Por, vetëm një orë më vonë, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shfaq papritur në Kuvend, e “kthyer” nga një udhëtim jashtë vendit, duke vënë në pikëpyetje deklaratën e Spiropalit.
Ky moment ka shokuar jo vetëm deputetët e pranishëm, por edhe opinioni publik, pasi kryeparlamentarja Spiropali ishte përpjekur të justifikonte mungesën e Ballukut me një pretekst të sajuar. Reagimi i menjëhershëm i deputetit Dashnor Sula, i cili e quajti Spiropalin “gënjeshtare”, ishte një shenjë e qartë e tensioneve që po përshkallëzohen brenda mazhorancës. Pas këtij sulmi, Spiropali, e shtrënguar nga situata, ka ndërprerë fjalën e deputetit dhe ka kërkuar falje për atë që e quajti një gabim të pafalshëm. Përplasja ka marrë përmasa më të mëdha kur Belinda Balluku ka marrë fjalën dhe, ndërkohë që u justifikua për mungesën e saj, ka sulmuar publikisht Agron Shehajn, duke e akuzuar se nuk ishte i pranishëm kur ajo ishte gati të zhvillonte interpelancën.
