Një 46-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në Itali pas një tentative grabitjeje që përfundoi në tragjedi. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Gorello-s, në provincën e Arezzo-s.
Sipas mediave italiane, Arben Cristea, i cili rezultonte me precedentë penalë, dyshohet se ka tentuar të grabisë një banesë së bashku me dy persona të tjerë. Ata janë pikasur nga pronari i shtëpisë, i cili ka qëlluar me armë zjarri në ajër për t’i larguar.
Në përpjekje për t’u arratisur, 46-vjeçari ka tentuar të kapërcejë një gardh metalik, por është dëmtuar rëndë, duke pësuar prerje që i shkaktuan hemorragji fatale. Ai është gjetur më pas pa shenja jete nga forcat e policisë që mbërritën në vendngjarje pas sinjalizimit për grabitjen.
Dy bashkëpunëtorët e tij kanë mundur të largohen dhe janë shpallur në kërkim. Autoritetet italiane po hetojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
