Raportet mes qeverisë shqiptare dhe Gjermanisë janë tensionuar, pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në një mbledhje me Grupin Parlamentar të PS-së, ku sipas burimeve ai ka akuzuar Berlinin për ndikim në çështje që lidhen me drejtësinë dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë. Deklaratat vijnë në një moment delikat, ndërsa Kuvendi pritet të votojë më 5 mars mbi kërkesën për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Ndërkohë, në Bruksel është diskutuar progresi i Shqipërisë për Kapitujt 23 dhe 24 të negociatave, që lidhen me sundimin e ligjit, gjyqësorin dhe luftën kundër korrupsionit. Sipas burimeve diplomatike, shtetet anëtare kërkojnë rezultate konkrete dhe të verifikueshme, si kusht për të avancuar drejt mbylljes së kapitujve të parë.
Ambasadorët e BE-së theksuan se një raport pozitiv i ndërmjetëm për sundimin e ligjit është thelbësor për vijimin e procesit të integrimit. Vëmendja është përqendruar te hetimet dhe vendimet përfundimtare në çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe te konsolidimi i institucioneve të reja të drejtësisë.
Çështja Balluku po ndiqet nga afër edhe në nivel ndërkombëtar. Mediat e huaja raportojnë se lufta kundër korrupsionit mbetet kyçe për objektivin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030. Heqja ose jo e imunitetit të saj pritet të konsiderohet një test i rëndësishëm për pavarësinë e drejtësisë dhe vullnetin politik për reforma.
Zhvillimet e ditëve në vijim pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë si në klimën politike të brendshme, ashtu edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët evropianë.
