Ish-kryeministri Sali Berisha vazhdon të marrë në mbrojtje ish-presidentin Ilir Meta sa i takon aferës “CEZ-DIA”. Së fundmi ai u pyet për akuzat që ka hedhur ndaj Metës disa vite më parë. Pyetja e gazetarit lidhej me akuzat e Berishës në vitin 2015 kundrejt Ilir Metës, teksa i bënte thirrje Prokurorisë që ta hetonte atëherë kreun e Parlamentit për aferën CEZ-DIA.
Ndërkohë Berisha është përgjigjur duke thënë se nëse Ilir Meta do të ishte fajtor për këtë çështje, atëherë sipas tij, këtë do ta kishte treguar Kastriot Ismaili, i cili është dënuar më herët për këtë dosje. Kjo pasi sipas Berishës, kreu i SPAK, Altin Dumani, i kishte premtuar Kastriot Ismailajt se do e nxirrte nga burgu, nëse i jepte prova që bënin fajtor Ilir Metën për aferën “CEZ-DIA”. Por çfarë ka ndodhur në këto vite mes Berishës dhe Metës kur është përfolur dosja “CEZ-DIA”?
Si ia mbylli dosjen Berisha-Metës?
Në dosjen e SPAK u tregua qartë se Meta ka bërë pazare në vitin 2009 me ish-kreun e DIA, Kastriot Ismailaj. Ky i fundit, del si personi që boshatisi arkën e CEZ përmes kompanisë DIA, e cila merrej me mbledhjen e borxheve. Por para kësaj, në vitin 2008 nisi një hetim ndaj tij për pastrim parash dhe në maj të 2008 u vendos në përgjim nga prokuroria, përgjime që zgjatën deri në qershor 2009, pra gati një vit. Kastriot Ismailaj, tashmë i lirë pasi ka kryer dënimin, është hetuar nga Prokuroria e Tiranës në cilësinë e administratorit të kompanisë “Adriatic Development Corporation”. Edhe pse Ismailaj ishte përgjuar për një vit dhe ka pasur shumë informacione ndaj tij, prokuroria pushoi menjëherë hetimet, me argumentimin se nuk provohej akuza e pastrimit të parave. Pushimi i hetimeve u bë sapo Meta firmosi koalicionin me Berishën dhe erdhi në pushtet në 2009.
Pas pushimit të hetimeve, u asgjësuan dhjetëra CD me bisedat dhe SMS të Kastriot Ismailajt, si dhe u fshinë përgjimet nga serveri i përgjimeve. Por procesverbalet mbetën në duart e Ismailajt dhe disa individëve, të vërtetat të cilat u treguan nga SPAK nga ajo që fshehu prokuroria. Fakti që përgjimet u ndërprenë dhe dosja u pushua , ngre mjaft pikëpyetje. Ajo që tregon se prokuroria ka vepruar në mënyrë mjaft të dyshimtë është se në vitin 2015, rihapi hetimet po për të njëjtën çështje dhe vijoi çoi Ismailajn pas hekurave. Por e bukura ishte se pavarësisht rihapjes së hetimit, përgjimet ku dilte edhe Ilir Meta nuk mund të përdoreshin më si provë. Edhe pse si dosje ajo ekzistonte, ajo ishte e pavlefshme në gjyq.
Por prokuroria edhe pa ato përgjime e mbylli dosjen dhe e dërgoi në gjykatë, duke e akuzuar Ismailajn për pastrim parash. Ajo që e vesh akoma më tepër me dyshim situatën është se në vitin 2009 Meta kaloi në koalicion me PD. Dhe sapo ndodhi kjo, për çudi u pushuan hetimet ndaj Ismailajt. Por në 2015 kur u rihapën hetimet, Meta ishte në koalicion me Ramën dhe në të njëjtin vit marrëdhëniet mes tij dhe Berishës ishin shumë të tensionuara. Në krye të organit të akuzës ishte dhe Adriatik Llalla. Pyetja që shtrohet është: Pse në 2015 prokuroria arrit të gjejë prova dhe ta çojë dosjen në gjykatë, ndërsa në 2009 jo? Dyshimet janë se hetimet janë pushuar për të mos i hapur telash zv/kryeministrit të asaj kohe.
Akuzat mes Metës dhe Berishës shtator-tetor 2015
Në 10 shtator 2015, Sali Berisha deklaroi në Parlament se Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë. Duke besuar dëshminë e Jozef Hejsek, Berisha i bëri thirrje Prokurorisë që të merrte menjëherë nën hetim Metën, ndërsa i kërkonte këtij të fundit të jepte dorëheqjen si kryetar Kuvendi. -Sali Berisha: Këto ditë mediat kanë zbuluar një akt tjetër korruptiv, sipas të cilit, njëra nga kompanitë e kontraktuara nga vet CEZ-i, DEP International e një farë “nacionali”, që quhet Kastriot Ismailaj, i ka dhënë ryshfet ministrit të Jashtëm të asaj kohe.
Nga ana tjetër, një padi tjetër vjen nga ish-administratori i CEZ-t, se Ilir Meta, ministër i Jashtëm, e ka takuar në Pragë dhe ka negociuar me Hasekun për Kastriot Ismailajn. Deklaroj këtu me përgjegjësi të plotë se Ilir Meta, si ministër i Jashtëm nuk ka pasur asnjë tagër, asnjë detyrë për të negociuar me CEZ-in për asnjë lloj problemi të asaj kohe. Me CEZ-in ka qenë i ngarkuar ministri i tij Edmond Haxhinasto, ka qenë e ngarkuar Ministria e Financave, ka qenë i ngarkuar grupi i punës i përbërë nga të gjithë të tjerët, por në asnjë rast e në asnjë rrethanë, nga asnjë zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kurrë! Cilat janë motivet që e kanë shtyrë Ilir Metën të takojë në Pragë Hasekun, të negociojë për Kastriot Ismailajn? Ato duhet t’i shpjegojë ai, ndaj dhe ne kemi kërkuar dorëheqjen e tij në mënyrë që të shpjegojë gjithçka për këtë çështje.
