Vetëm dy muaj pas regjistrimit në Tiranë, kompania televizive serbe “Arena News Channel Two Albania” ka rritur ndjeshëm kapitalin e saj fillestar, duke e shumëfishuar nga 500 mijë lekë në 12.5 milionë lekë të reja. Ky zgjerim i shpejtë financiar sinjalizon plane për investime të rëndësishme në tregun mediatik shqiptar.
“Arena” shqiptare është në pronësi të kompanisë mëmë “Arena News Channel Two DOO Beograd”, e regjistruar në Serbi, e cila kontrollohet nga shoqëria publike “Telekom Serbia”. Kompania u regjistrua në Shqipëri në fund të nëntorit 2025 dhe brenda pak javësh aksioneri kryesor vendosi dyfishime të njëpasnjëshme të kapitalit.
Mbërritja e një televizioni serb në Shqipëri, ndonëse ligjërisht e lejuar, përbën një zhvillim të pazakontë dhe jo domosdoshmërisht pozitiv, sidomos kur të dhënat publike tregojnë lidhje të drejtpërdrejta me rrethin politik të presidentit serb Aleksandër Vuçiç dhe figura të afërta me ish-regjimin e Slobodan Millosheviçit.
Fijet që çojnë te pushteti i Millosheviçit
Kompania serbe “Arena News Channel Two DOO Beograd” është regjistruar në mars 2024. Në Shqipëri, ajo përfaqësohet nga Zoran Glisoviç, ndërsa drejtoresha kryesore e grupit në Beograd rezulton Aleksandra Kërstiç.
Sipas raportimeve të mediave serbe, Kërstiç ka pasur role drejtuese në “Happy TV”, një televizion i lidhur historikisht me ish-“TV Košava”, që ka qenë në pronësi të Maria Millosheviç, vajza e ish-diktatorit serb Slobodan Millosheviç. Po ashtu, ajo ka mbajtur pozicione të rëndësishme në grupin mediatik “Invej”, në pronësi të biznesmenit kontrovers Predrag Ranković, i lidhur në raportime mediatike me “Klanin e Zemunit”.
Lidhjet me pushtetin aktual në Serbi
“Happy TV”, i drejtuar për një kohë të gjatë nga Aleksandra Kërstiç, njihet për linjën e fortë pro-qeveritare dhe për mbështetjen publike ndaj presidentit Aleksandër Vuçiç. Ky televizion është përdorur shpesh për të përmirësuar imazhin e tij, veçanërisht në momente kur mediat ndërkombëtare kanë publikuar investigime kritike mbi qeverisjen dhe lidhjet e pushtetit në Serbi.
Në vitin 2023, pas publikimit të një investigimi nga media amerikane që ngrinte dyshime serioze për lidhje mes Vuçiçit dhe grupeve kriminale, “Happy TV” u vu në shërbim të mbrojtjes së figurës së presidentit serb.
Një televizion serb në Shqipëri
Sipas të dhënave zyrtare, “Arena News Channel Two Albania” do të operojë si një platformë mediatike e plotë, duke prodhuar dhe transmetuar përmbajtje audiovizive në televizion, internet dhe rrjete sociale, si dhe duke administruar media online dhe publikime elektronike.
Megjithatë, pavarësisht përshkrimit formal të aktivitetit, ngritja e një televizioni serb në Tiranë ngre pikëpyetje serioze. Shqipëria dhe Serbia nuk kanë marrëdhënie historikisht miqësore, veçanërisht për shkak të politikave shtetërore serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Së fundmi, afrimi personal dhe politik mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç është parë si faktor lehtësues për hyrjen e interesave serbe në Shqipëri, një hapësirë që mbetet pothuajse e mbyllur për investimet shqiptare në Serbi.
Opozita shqiptare dhe zëra të rëndësishëm nga Kosova e kanë akuzuar prej vitesh kryeministrin Rama se i ka krijuar Vuçiçit akses politik dhe ekonomik në Shqipëri, duke cenuar interesat kombëtare dhe balancën rajonale.
