Sekretari i Përgjithshëm i Partia e Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas debatit publik mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-oficerit të UÇK-së Dritan Goxhaj.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Blushi deklaroi se përplasja nuk lidhet me një individ të vetëm, por me qëndrime që, sipas tij, prekin çështjen kombëtare dhe raportet me Kosovën.
Sipas Blushit, Rama nuk e ka konfliktin personalisht me Goxhajn, por me ata që mbrojnë interesin kombëtar dhe kundërshtojnë politikat e tij. Ai akuzoi kryeministrin për qëndrime që i konsideron të dëmshme për Kosovën, duke përmendur mbështetjen e projektit të “Ballkanit të Hapur” dhe përplasjet e vazhdueshme me drejtues politikë e institucione në Kosovë.
Blushi theksoi se sulmi ndaj Goxhajt përçon, sipas tij, dy mesazhe: paralajmërimin ndaj çdo zëri kritik me bindje patriotike dhe ashpërsimin e retorikës ndaj kundërshtarëve politikë.
“Edi Rama nuk e ka konfliktin me Dritan Goxhajn. Ai e ka inatin me Kosovën, me interesin kombëtar dhe me këdo që nuk pajtohet me politikat e tij”, shkroi Blushi.
Në reagimin e tij, deputeti i Partisë së Lirisë kritikoi gjithashtu marrëdhëniet e Ramës me presidentin e Aleksandar Vučić dhe projektin rajonal “Ballkani i Hapur”, duke pretenduar se këto iniciativa kanë dëmtuar interesat shqiptare.
Debati publik është ndezur pas deklaratave të Ramës ndaj Goxhajt, i cili një ditë më parë lexoi kërkesat e protestuesve në Tiranë, ndërsa kryeministri iu përgjigj duke e cilësuar atë si “manipulator, gjysma taleban e gjysma mitoman”.
Reagimi i Blushit vjen në një klimë të tensionuar politike, ku protestat dhe përplasjet verbale mes mazhorancës dhe opozitës kanë dominuar debatin publik në vend.
