Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka në duar një dosje voluminoze, e cila përmban përgjime të cilat dyshohet se ekspozojnë marrëdhëniet e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentit me anëtarë të botës së krimit. Dosja e njohur si 26/1 është cilësuar si një “bombë” e vërtetë që mund të tronditë skenën politike shqiptare. Për herë të parë këto akuza ndaj Ballës i ka artikuluar ish-kryeministri Sali Berisha, i cili prej disa kohësh nxjerr pasazhe që sipas tij ndodhen në dosjen që po heton SPAK, por edhe ndërkombëtarët.
Deri më tani janë zbardhur dhe përgjimet që kanë dalë nga aplikacioni i koduar SKY, që është përdorur nga grupet kriminale për të komunikuar në mënyrë të fshehtë. Pikërisht nga këto përgjime, janë zbardhur biseda të dyshimta që e lidhin Ballën me eksponentë të krimit të organizuar, ku diskutohet për ndërhyrje në drejtësi për të mbrojtur interesa të caktuara. “Dosja 26/1 është dosja e ferrit dhe e tmerrit Balla-Rama. Në këtë mes ka edhe një faktor ndërkombëtar shumë të rëndësishëm. Televizioni kombëtar belg i nxori emrin atij. Nuk ia nxori Altin Dumani emrin, por ia nxori televizioni kombëtar i Blegjikës”, tha Berisha para disa javësh.
