Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, kandidatja për deputete në zgjedhjet e 11 Majit, Taulanda Jupi, ka shpërndarë dje një deklaratë të fortë në mbështetje të punëtorëve shqiptarë, duke denoncuar padrejtësitë që ata përballen çdo ditë dhe duke prezantuar një angazhim konkret për garantimin e pagës mujore. “Sot është 1 Maji, dita e atyre që punojnë, por nuk shpërblehen. Dita e atyre që mbajnë mbi shpatulla këtë vend, por trajtohen si numra pa zë në një sistem që u ka kthyer kurrizin,” u shpreh Jupi. Duke theksuar se mijëra punëtorë janë ende pa paga prej muajsh, ajo nënvizoi: “Ka njerëz që nuk paguhen prej 3, 4, 5 apo 6 muajsh.
Ndërkohë që qeveria vazhdon të mbledhë taksa, të vendosë gjoba, të ndajë konçesione dhe tendera, askush nuk pyet si ushqehen familjet shqiptare. Si i çojnë fëmijët në shkollë. Si paguajnë qiranë apo ilaçet. Nuk pyesin, sepse nuk u intereson.” Sipas Jupit, ky është tregues i një “krize morale që nis nga lart” dhe një sistemi që “ka vetëm një hall: të mbushë thesin e vet dhe të ndajë paratë në dhomat e errëta me miqtë e oborrit.” Në deklaratën e saj, Taulanda Jupi premton veprim konkret në Kuvend: “Në Parlament, unë do të çoj ndryshimet ligjore që dënojnë me gjobë dhe kamatëvonesa çdo ditë që paga e punëtorit shqiptar vonohet.” “Ashtu siç shteti kërkon taksat me afat. Ashtu siç ndëshkon bizneset dhe qytetarët për pagesën e taksave me vonesë, njësoj do të penalizohen punëdhënësit privatë e shtetërorë që nuk paguajnë pagën në kohë.
