TIRANË – Eden Begotaraj është vetëm 8 vjeç dhe nxënës i klasës së dytë, por pasioni dhe talenti i tij për shahun e kanë veçuar që herët mes bashkëmoshatarëve. I njohur si “sporti i të zgjuarve”, shahu për Edenin është shumë më tepër sesa një lojë – është një mënyrë për të stërvitur mendjen dhe për të zhvilluar të menduarin logjik.
Pas vetëm një viti stërvitje intensive, Eden ka marrë pjesë në pesë kampionate kombëtare. Në njërin prej tyre, ku konkurruan rreth 120 fëmijë nga mosha 8 deri në 18 vjeç, vogëlushi arriti të fitonte vendin e parë, duke spikatur jo vetëm mes bashkëmoshatarëve, por edhe përballë kundërshtarëve më të rritur në moshë.
Ai shprehet se kjo fitore ka bërë krenare familjen e tij dhe se çdo rezultat është fryt i punës së vazhdueshme, disiplinës dhe përkushtimit. Për Edenin, shahu nuk ka ndikuar pozitivisht vetëm në sport, por edhe në mësime, duke e ndihmuar të ketë rezultate të mira, veçanërisht në lëndët që kërkojnë logjikë dhe përqendrim.
“Shahu më ka mësuar të luftoj deri në fund, por edhe të pranoj humbjen dhe të mësoj prej saj”, tregon Eden, duke e cilësuar këtë si një nga mësimet më të rëndësishme që i ka dhënë sporti i mendjes.
Përditshmëria e tij është e lidhur ngushtë me stërvitjen dhe mësimet, ndërsa ëndrrat për të ardhmen janë të mëdha. Krahas dëshirës për t’u bërë arkitekt, synimi më i madh i Edenit është të përfaqësojë Shqipërinë në kampionatet ndërkombëtare të shahut.
Ndërkohë, gjithnjë e më shumë prindër po e shohin shahun si një mjet edukues për fëmijët. Një shembull është edhe 4-vjeçari Tian Ndou, i cili prej pesë muajsh ka nisur kursin e shahut, duke hedhur hapat e parë në këtë sport të mendjes.
Eden dhe Tian janë dëshmi se shahu nuk njeh moshë dhe se pasioni për lojën e mendjes lind që në fëmijëri. Me përkushtim, disiplinë dhe mbështetje, këta vogëlushë po ndërtojnë sot rrugën drejt suksesit të së nesërmes.
