Takimi i zhvilluar muajin e kaluar mes përfaqësuesve të opozitës shqiptare dhe zyrtarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit ka ndezur një debat të ri politik. Drejtori për Çështjet e Europës Perëndimore dhe Qendrore në DASH, Mark Fleming, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, u takua me një grup deputetësh të opozitës, bashkë me Nancy Van Horn, të ngarkuarën me punë në Ambasadën Amerikane. Në fotot e publikuara nga Ambasada, në takim shihen: Jorida Tabaku, Gazment Bardhi, Belind Këlliçi, Ina Zhupa dhe Oerd Bylykbashi, të cilët u prezantuan si përfaqësues të opozitës parlamentare. Por menjëherë pas këtij publikimi, reagimi më i fortë erdhi nga aktivistja dhe ish-aleatja e PD-së, Evi Kokalari, e cila akuzoi hapur katër nga deputetët pjesëmarrës si “mashtrues politikë” që, sipas saj, kanë hyrë në Parlament pa marrë asnjë votë nga zgjedhjet e fundit, duke përdorur mekanizma jodemokratikë brenda partisë. Në reagimin e saj publik, Kokalari theksoi se: “Përveç Tabakut, asnjë nga këta deputetë nuk siguroi asnjë votë elektorale, pasi nuk ishin në fletëvotime. Në vend të kësaj, ata janë pjesë e parlamentit shqiptar përmes mjeteve jashtëzakonisht jodemokratike.” Ajo shtoi se është e gatshme t’ia shpjegojë personalisht këtë situatë zyrtarit të DASH-it, Mark Fleming, duke lënë të kuptohet se sipas saj, Ambasada Amerikane në Tiranë nuk ka dhënë informacion të saktë për mënyrën si janë përzgjedhur këta emra. “Meqenëse Nancy nuk do t’ia shpjegojë të vërtetën Flemingut, e marr unë përsipër ta bëj këtë dhe t’i ekspozoj këta mashtrues”, ka shkruar Kokalari.
Pazari Rama-Berisha
Kujtojmë se vitin e kaluar, në Komisionin e Ligjeve në parlament u mbyll një formalitet i dakordësuar që më parë mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, për ti hequr mundësinë qytetarëve shqiptarë për ti zgjedhur vetë deputetët e kuvendit të ardhshëm, përmes listave të hapura, ku ai kandidat që votohet më shumë nga zgjedhësit merr automatikisht mandatin. Në ligjin me bekimin e të dyja palëve u ra dakord që 2/3 e listës së deputetëve të ishte e hapur dhe 1/3 të jetë ekskluzivitet i kryetarit të partisë. Në 11 maj, PD doli e rraskapitur nga zgjedhjet, duke siguruar vetëm 50 mandate në rang kombëtar, një rezultat rrënues për partinë më të madhe opozitare. Berisha, në vend që të ringrinte partinë me fytyra të reja dhe integritet, e ktheu listën në një katalog nostalgjik, duke futur në rresht të parë njerëzit më besnikë ndaj tij, jo më të besueshmit për qytetarët. Flamur Noka, emri i përhershëm i tensioneve, i paidentifikueshëm me ndonjë kontribut real përveç zërit të lartë dhe sherreve në Parlament. Albana Vokshi, e përqendruar më shumë në agresivitetin televiziv se në politikbërje. Edi Paloka, një tjetër emblemë e besnikërisë personale ndaj Berishës, me zero kontribut politik. Gazment Bardhi dhe Ina Zhupa, që fillimisht dolën kundër Sali Berishës në kohën kur Lulzim Basha kontrollonte selinë blu, ndryshuan qëndrim sapo Berisha mori drejtimin e PD-së. Për një karrige, ata braktisën Bashën dhe iu bashkuan Saliut. Kështu, lista e PD-së u mbush me emra të konsumuar, shumë prej të cilëve janë thjesht zgjatim i vullnetit të Berishës, duke hyrë në Kuvend pa marrë asnjë votë. Këta nuk garuan për ide, por për të ruajtur imunitetin politik të liderit dhe për të garantuar vijimësinë e një klike që ka marrë peng opozitën. Ndërkohë, aleatët u shpërblyen me vende të sigurta dhe opozitarizmi i vërtetë mbeti jashtë lojës.
