Vizita e shefit të CIA-s, William Burns në trekëndëshin Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë, u mbyll dje, me mesazhe të qarta dhe të prera, të lëna në të tre kryeqytetet, që lidhen me dy pika të nxehta, Republika Srpska dhe veriu i Kosovës, të dyja me shumicë serbe dhe burime tensionesh të herëpashershme. Vizita e kreut të CIA-s është nga më të rrallat në Ballkanin Perëndimor dhe vjen në një kohë kur retorika secesioniste e Dodik në Bosnjë Hercegovinë dhe veprimet e njëanshme të Kurtit në veri të Kosovës, rrezikojnë jo vetëm hapjen e vatrave të reja të krizës, në mes të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, por mbi të gjitha vënë në rrezik ushtarët amerikanë të dislokuar në Kosovë, të cilët janë të pozicionuar në një bazë në Leposaviç në veri të vendit. Që në orën 9 të mëngjesit, Burns ishte në ndërtesën e qeverisë së Kosovës dhe bisedoi me Kurtin për rreth 50 minuta, në praninë edhe të kreut të inteligjencës së Kosovës, Petrit Ajeti dhe ambasadorit amerikan në Prishtinë Jeffrey Hovenier.
Askush nuk ka folur ende, çfarë iu tha ekzaktësisht Kurtit. Takimi erdhi pas atij me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, që konsiderohet partnere nga Shtetet e Bashkuara, në ndryshim nga kryeministri. Presidentja Vjosa Osmani publikoi të premten foto nga takimi duke theksuar se “Aleanca me Shtetet e Bashkuara, është garanci për siguri, paqe e sukses”. “Kënaqësi që mirëprita dje në Republikën e Kosovës Shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës, Ambasadorin William Burns,” shkroi presidentja Osmani në një postim në rrjetet sociale. William Burns ka takuar te enjten edhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. Rreth këtyre takimeve nuk ka pasur asnjë deklaratë nga palët.
