Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka deklaruar se problematika e pronës në Shqipëri është një nga shtyllat kryesore të modelit të qeverisjes së ndërtuar gjatë viteve të fundit, duke kërkuar ndryshime të thella në mënyrën e administrimit të saj.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tabaku argumenton se ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave dhe ai për investimet strategjike kanë funksionuar si pjesë e të njëjtit mekanizëm, i cili, sipas saj, ka dobësuar pronarët e ligjshëm dhe ka favorizuar një numër të kufizuar përfituesish.
“Njëri dobësoi pronarët e ligjshëm, ndërsa tjetri krijoi mekanizmat për kalimin e pronës publike dhe private në duart e një pakice të privilegjuar”, shprehet deputetja.
Sipas Tabakut, pasiguria mbi pronësinë, regjistrat e paplotë, vendimet e pazbatuara të gjykatave dhe zvarritja e proceseve kanë krijuar një sistem ku administrata dhe pushteti politik fitojnë kontroll më të madh mbi qytetarët.
Ajo thekson se prona nuk duhet të trajtohet si instrument politik, por si një e drejtë themelore kushtetuese që garanton lirinë ekonomike dhe sigurinë juridike të qytetarëve.
Deputetja demokrate i referohet edhe hetimeve të SPAK, duke deklaruar se ato kanë nxjerrë në pah lidhje mes interesave ekonomike, sektorit të ndërtimit, resorteve turistike dhe kontratave publike. Sipas saj, statusi i “investitorit strategjik” është përdorur kryesisht për të ofruar lehtësi dhe privilegje, në vend që të nxisë investime në sektorë me vlerë të shtuar për ekonominë.
Tabaku kërkon ngritjen e një hetimi parlamentar mbi mënyrën e zbatimit të ligjit për investimet strategjike, transferimin e pronave publike, përfitimet fiskale dhe lidhjet mes përfituesve dhe vendimmarrësve.
Në përfundim, ajo thekson se ndryshimi i sistemit nuk duhet të kufizohet vetëm te rotacioni politik, por të nisë me rikthimin e shtetit te qytetari, garantimin e pronës private, barazinë para ligjit dhe eliminimin e privilegjeve për një pakicë të favorizuar.
