Për shkak të qëndrimeve të tyre inkoherente, ka një paradoks në mes deklaratave dhe veprimeve të deputetëve Tabaku, Gjekmarkaj dhe Bardhi. E para, një ditë më parë, në një televizion ka folur për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, që nxinte qeverinë Rama dhe evidentonte korrupsionin në të gjitha fushat, ndërkohë, nga ana tjetër, nuk flet asnjë fjalë për korrupsionin e Sali Berishës dhe për dizenjimin e tij “Non Grata” po nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Jo vetëm kaq, por Tabaku e ka avancuar edhe më tej qëndrimin e saj, duke u pozicionuar qartë në radhët e deputetëve që mbështesin Bardhin si kryetar grupi parlamentar, ndërkohë që vetë ai është nënkryetar i “Non-gratës”. Të njëjtën gjë bëri edhe Gazment Bardhi dy ditë më parë, kur shpërndau në platformën X postimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili fliste për të drejtat e njeriut, ndërkohë që, nga ana tjetër, mbështet hapur dhe është rreshtuar në radhët e ushtarëve të atij që Blinken ka shpallur “Non grata” për korrupsion madhor dhe për minim të demokracisë. Paradoksi shtohet edhe më shumë, kur Bardhi shpërndan pikërisht “armikun” e padronit të tij të ri, të cilin, sipas asaj që thotë Berisha, e ka edhe një çështje penale me të. Ndaj edhe një pjesë e deputetëve të Berishës, i kërkojnë Bardhit të veshë bluzën e stampuar me lironin liderin e opozitës, duke pasur parasysh Berishën, sepse e dinë aftësinë e tij për ta dredhur, sa me amerikanët sa me ata që kanë dizenjuar amerikanët “Non-grata”. Për të mos folur për Gjekmarkajn në këtë histori, se ai, ndërkohë që jemi duke hedhur rreshtat e fundit të këtij shkrimi, mund të ndryshojë sërish mendim dhe na shkon shkrimi dëm. Të gjitha këto paradokse vijnë si pasojë e mos mbajtjes së qëndrimeve dhe e mosmarrjeve përgjegjësive. Fatkeqësisht, ndërkohë që një pjesë e mediave të oligarkëve, i promovon si figura të reja, kjo kohë tregoi se nevoja për të pasur një mandat deputeti, i ka bërë që të mos kenë asnjë lloj koherence politike dhe morale, duke shkelur çdo kod dhe çdo fjalë të thënë më parë dhe duke përfunduar në ushtar të bindur të Sali Berishës, me ndryshimin nga Flamur Noka, që nuk shpërndan postimet e Antony Blinkenit.
Tabaku, Gjekmarkaj dhe Bardhi, ushtarët e “Non-Gratës” që bëjnë politikë me raportet e DASH nga Ballkoni antiamerikan i Sali Berishës
Data
