Konsullata e Emirateve të Bashkuara Arabe në Erbil, në rajonin e Kurdistanit të Irakut, është sulmuar për herë të dytë brenda një jave me dron.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe, e cila e dënoi sulmin duke e cilësuar atë si një akt terrorist.
Sipas njoftimit zyrtar, droni goditi ndërtesën e konsullatës së përgjithshme, duke shkaktuar dëme materiale. Si pasojë e sulmit u plagosën dy agjentë të sigurisë që ndodheshin në objekt.
Autoritetet e Abu Dhabit kanë bërë thirrje për hetim të plotë të incidentit dhe kanë dënuar çdo akt që rrezikon misionet diplomatike dhe sigurinë e personelit të tyre.
Ky është sulmi i dytë ndaj konsullatës së Emirateve në Erbil brenda një jave, ndërsa tensionet në rajon vijojnë të rriten për shkak të përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.
