Sulmi i një viti më parë në Banjskë, REL analizë: Serbia injoron “elefantin në dhomë”

Data

Kur një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, bëri fajtor kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Në sulmin e 24 shtatorit, 2023, u vra polici kosovar, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë. Vuçiç tha atëkohë se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”, dhe mohoi se Serbia kishte gisht.

“Albin Kurti është fajtori i vetëm. Albin Kurti është i vetmi që do konflikt dhe luftë. Askush tjetër nuk do konflikt dhe luftë përveç Albin Kurtit. Dëshirë e tij jetësore është të na fusë në luftë me NATO-n dhe ai dëshirë tjetër nuk ka”, tha Vuçiç në ditën e sulmit

Kurti, i cili e ka bërë kontrollin e zonave me shumicë serbe të Kosovës element kyç të politikës së tij, fajësoi udhëheqjen shtetërore të Serbisë, duke thënë se sulmi është organizuar me mbështetjen e saj. Vuçiç u zotua se Serbia do t’i hetojë të dyshuarit, ashtu si edhe origjinën e armëve që policia e Kosovës konfiskoi pas sulmit.

Një vit pas, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd thotë se hetimet janë duke vazhduar; nuk ka ndonjë aktakuzë të ngritur dhe biznesmeni serb nga Kosova, Millan Radoiçiç, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin, besohet se është i lirë në Serbi.

Maja Bjellosh, hulumtuese në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se, pavarësisht peshës që ka sulmi, autoritetet në Serbi “nuk duan që të zbulohen e vërteta dhe përgjegjësia”.

Sipas saj, publiku në Serbi e di se Radoiçiç është i afërt me pushtetin. Ai është parë në disa takime të Vuçiçit me përfaqësues të serbëve nga Kosova, ndërsa kompanitë e tij janë angazhuar në projekte të ndryshme infrastrukturore në Serbi.

“Nëse Radoiçiç nuk akuzohet dhe hetimet për Banjskën nuk përparojnë, atëherë mund të themi se ai, në njëfarë mënyre, gëzon mbrojtje nga shteti. Në momentin kur Radoiçiç dhe bashkëpunëtorët e tij të gjykohen, kur pronat t’i konfiskohen, kur të ketë distancë të qartë mes pushtetit dhe punëve që bën Radoiçiç, atëherë mund të themi se ka vërtet ndryshim të politikës”, thotë Bjellosh.

Me mbulim minimal nga mediat në Serbi, Bjellosh thotë se Banjska në këtë vend është harruar “brenda muajit”, ndaj nuk ka pasur ndonjë reagim të qytetarëve në lidhje me politikën e Serbisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related