Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Grand Central Terminal në New York City, ku një person i armatosur me hanxhar ka plagosur tre qytetarë, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia.
Sipas raportimeve, sulmi ndodhi rreth orës 09:30 të mëngjesit me orën lokale, në platformën e metrosë që shërben linjat 4, 5 dhe 6. Autori dyshohet se ka goditur me hanxhar dy burra dhe një grua, duke shkaktuar panik mes udhëtarëve.
Forcat e policisë ndërhynë menjëherë pas marrjes së njoftimit emergjent dhe hapën zjarr ndaj sulmuesit, i cili mbeti i vrarë në vend. Tre të plagosurit janë transportuar në spital dhe ndodhen në gjendje të qëndrueshme, ndërsa edhe dy oficerë policie janë dërguar për kontrolle mjekësore.
Autoritetet kanë bërë thirrje për shmangien e zonës, pasi hetimet janë ende në zhvillim. Lëvizja e trenave është devijuar në të dyja drejtimet për shkak të situatës.
Ngjarja është cilësuar si një akt i rëndë dhune nga guvernatorja e shtetit, Kathy Hochul, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur rrethanat dhe motivet e sulmit.
