Stuhitë e fuqishme që kanë goditur ditët e fundit Evropën Perëndimore kanë shkaktuar pasoja të rënda, me 16 viktima të konfirmuara në Portugali dhe dëme të mëdha infrastrukturore në disa shtete.
Në Portugali, situata paraqitet më dramatike. Përveç viktimave, një çift i moshuar rezulton i zhdukur prej disa ditësh në zonën e Montemor-o-Velho. Autoritetet po vijojnë kërkimet me helikopterë, zjarrfikës dhe njësi ushtarake, ndërsa hetimet për shkaqet e zhdukjes janë ende në zhvillim.
Vendi është përfshirë nga disa stuhi radhazi, përfshirë Ingrid, Joseph, Kristin, Leonardo dhe Marta. Stuhia Kristin konsiderohet më e fuqishmja, me erëra që kanë arritur mbi 200 kilometra në orë dhe reshje intensive shiu. Që nga janari, moti ekstrem ka shkaktuar përmbytje masive, shembje infrastrukture, ndërprerje energjie dhe komunikimesh, si dhe mijëra persona të zhvendosur. Dhjetëra bashki vijojnë të jenë në gjendje katastrofe, ndërsa autostrada kryesore që lidh Lisbonën me Porton është ndërprerë në disa segmente për shkak të rrëshqitjeve të dheut.
Moti i keq ka prekur edhe vende të tjera evropiane. Në Spanjë, stuhia Joseph shkaktoi një viktimë dhe dëme të konsiderueshme, veçanërisht në Madrid dhe Extremadura, me qindra pemë të rrëzuara dhe mbyllje shkollash.
Në Francë, stuhia Nils la pas dy viktima dhe paralajmërime për përmbytje, sidomos në Bretanjë dhe përgjatë bregdetit perëndimor.
Ndërsa në Itali, cikloni Harry ka goditur rajonet e Kalabrisë, Sicilisë dhe Sardenjës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe shpalljen e gjendjes së emergjencës, megjithëse deri tani nuk raportohen viktima.
Autoritetet në të gjithë rajonin vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa paralajmërimet për mot të paqëndrueshëm mbeten në fuqi.
