Një stuhi e fuqishme dëbore ka paralizuar New York-un dhe rajonin verilindor të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar kaos në qarkullimin ajror dhe vështirësi të mëdha në lëvizjen e qytetarëve, në një nga fundjavat më të ngarkuara të vitit.
Autoritetet kanë shpallur gjendje emergjence në shtetet e New York-ut dhe New Jersey-t, ndërsa kushtet e rënda atmosferike kanë ndikuar drejtpërdrejt udhëtarët që po lëviznin për pushimet e Krishtlindjes.
Sipas të dhënave të monitorimit të trafikut ajror, që nga mbrëmja e së premtes janë anuluar ose vonuar të paktën 9 mijë fluturime. Situata më problematike është shënuar në aeroportet kryesore të zonës, ku reshjet e dendura të borës dhe era e fortë kanë penguar operacionet normale.
Autoritetet aeroportuale kanë paralajmëruar se moti i keq mund të shkaktojë anulime dhe vonesa të tjera edhe në orët në vijim. Qytetarëve u është kërkuar të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare për të garantuar sigurinë e tyre.
