Një grup studentësh që morën pjesë në protestën e 35-të kombëtare para Kryeministrisë përdorën simbolikën dhe ironinë për të përcjellë mesazhet e tyre kundër kryeministrit Edi Rama.
Nga podiumi i protestës, një prej studentëve deklaroi se i kishin sjellë kryeministrit një sërë “dhuratash simbolike” me rastin e ditëlindjes së tij të 62-të. Mes tyre ishin një uniformë burgu, një sapun, një qese me miell dhe një brisk.IMG_7919
Duke iu drejtuar protestuesve, studenti tha se uniforma ishte një “kostum burgu”, ndërsa objektet e tjera u paraqitën si pjesë e një mesazhi simbolik dhe ironik ndaj kreut të qeverisë.
Gjatë fjalës së tij, ai përsëriti gjithashtu kërkesën e protestuesve për hetimin dhe arrestimin e kryeministrit, ndërsa deklaratat e tij u shoqëruan me duartrokitje dhe brohoritje nga një pjesë e pjesëmarrësve në tubim.
Protesta vijoi me fjalime të tjera dhe forma të ndryshme simbolike, ndërsa organizatorët ritheksuan kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshime në drejtimin politik të vendit.
