Studentë dhe profesorë të Universitetit në Mitrovicën e Veriut kanë zhvilluar një protestë të mërkurën kundër planit për integrimin e sistemit të tyre arsimor në atë të Kosovës.
Protestuesit u mblodhën në qendër të qytetit duke mbajtur pankarta me mesazhe si “Pse po hesht Beogradi” dhe “Sipas cilit sistem të marrim frymë”, duke kundërshtuar idenë e një sistemi të vetëm arsimor në vend.
Universiteti në Mitrovicën e Veriut aktualisht funksionon sipas sistemit arsimor të Serbisë.
Një nga studentët e Fakultetit Filologjik, Lluka Peçenkoviç, deklaroi se studentët ndihen të braktisur dhe se autoritetet nuk po reagojnë ndaj situatës.
Sipas tij, protesta u organizua pa mbështetjen e rektoratit të universitetit, ndërsa shtoi se edhe themeluesi i institucionit, Qeveria e Serbisë, nuk ka dhënë mbështetje.
Debati për integrimin e institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë që funksionojnë sipas sistemit serb në Kosovë u ngrit në shtator të vitit të kaluar, kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi se ekzistenca e dy sistemeve paralele nuk është e qëndrueshme dhe se duhet të arrihet një integrim në një sistem të vetëm.
