Hetimet e SPAK kanë zbuluar një skemë komplekse financiare që përfshin pagesa prej 8 miliardë lekësh nga Vodafone Albania drejt kompanisë së Adrian Shatkut, me përfitime të dyshuara për çiftin Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Skema tregon mënyrën se si çifti ka përdorur ndikimin e tyre politik dhe lidhjet personale për të orkestruar marrëveshje në prapaskenë, përfshirë organizimin e takimeve private, aktivizimin e drejtuesve të institucioneve dhe përfshirjen e dy biznesmenëve. Sipas hetimeve, kompania e Adrian Shatkut ishte hallka kryesore për kanalizimin e fondeve.
SPAK ka evidentuar transaksione të mëdha financiare midis Vodafone Albania dhe kompanisë në fjalë, të cilat dyshohet se u përdorën për përfitime të çifti Meta-Kryemadhi. Dokumentet tregojnë se këto marrëveshje ishin të lidhura me ndikimin politik dhe ekonominë e kontrolluar nga Meta dhe Kryemadhi. SPAK ka mbledhur prova që tregojnë se çifti përdorte vilat e tyre për të organizuar takime private mes palëve të interesuara, përfshirë drejtues të AKEP-it (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) dhe biznesmenë me lidhje të fuqishme. Këto takime duket se ishin platforma për të negociuar marrëveshje që përfitonin palët e përfshira, ndërsa një pjesë e përfitimeve përfundonte te Meta dhe Kryemadhi
Dosja e SPAK
Në dosjen që disponon gazeta “SOT”, SPAK ka zbuluar se Vodafone Albania i ka paguar 8 miliard lekë kompanisë UNIFI të Adrian Shatkut, pas së cilës dyshohet se ka përfituar para edhe çifti Meta-Kryemadhi. Pagesat u kryen te kompania UNIFI në Shqipëri dhe Luksemburg për shërbimin e tranzitimit të thirrjeve. Kompania e Shatkut, kur Meta dhe Kryemadhi kërkuan nga Vodafone këtë shërbim, nuk e kishte të gjithë pjesën teknike, por siç zbulon SPAK dhe siç ka dëshmuar Marin Gjonaj, drejtuesit e Vodafone, për t’i shërbyer Metës dhe Kryemadhit i kërkuan atij që të mundësonte pjesën teknike. Gjithashtu, në dosjen e Prokurorisë së Posaçme thuhet se Meta dhe deputetja Kryemadhi kanë përdorur si ndërmjetës biznesmenin Theodhori Çamin, i cili, sipas SMS-ve që kanë dalë, kishte njohuri dhe lidhje me drejtuesit e kompanisë Vodafone në Shqipëri. Rezulton se Theodhori Çami dhe Ilir Meta e Kryemadhi janë fqinj me vilat e tyre në Gjirin e Lalzit.
Pagesat e Vodafone Albania
“Me shkresën nr. 5065/1 Prot, datë 12 Prill 2024 është administruan me CD, faturat për shërbimet e interkoneksionit për periudhën Korrik 2014 – Dhjetor 2017 që Vodafone Albania ka lëshuar në drejtim të kompanive Unifi Holdings Inc, dega Shqipëri dhe Unifi Communications S.a.r.l. Nga shqyrtimi i të dhënave të faturuara, rezulton se kompania Vodafone Albania ka faturuar (shitje) kompanisë Unifi Holdings Inc dega Shqipëri si vijon: Për vitin 2014 në vlerën 30.632.553 lekë (me tvsh). Për vitin 2015 në vlerën 191.275.715,21 lekë (me tvsh) Për vitin 2016 në vlerën 251.205.398,50 lekë (me tvsh) Për vitin 2017 në vlerën 230.895.096 lekë (me tvsh) Gjithashtu kompania Vodafone Albania ka faturuar në drejtim të kompanisë Unifi Communications S.a.r.l. me qendër në Luksenburg, si vijon:
Për vitin 2015 në vlerën 31.710.602.33 lekë (me tvsh) Për vitin 2016 në vlerën 49.474.686.33 lekë (me tvsh) Për vitin 2017 në vlerën 13.502.183.03 lekë (me tvsh) Në total, kompania Vodafone Albania ka faturuar në drejtim të këtyre dy kompanive shumën 798.696.234 lekë më tvsh. Kjo vlerë paraqet xhiron që kompanitë e mësipërme kanë realizuar nga marrëveshja e interkoneksionit me Vodafon Albania, dhe fitimi i realizuar do të llogaritej pasi të identifikohej çmimi me të cilin kompanitë Unifi Holdings Dega Shqipëri dhe Unifi Communications S.a.r.l, kanë shitur impulset e blera nga kompania Vodafone Albania.
