EMRAT/ Plagosja për “live”-t në TikTok: Kapet pas 3 javësh në arrati autori i atentatit në Institut, në pranga edhe 2 përkrahësit

Data

Tiranë – Policia ka arrestuar 36-vjeçarin Fatmir Frroku, i dyshuar si autor i plagosjes me armë zjarri ndaj Mariglen Jatës, ngjarje e ndodhur rreth tre javë më parë në zonën e Institutit në Tiranë.

Sipas njoftimit zyrtar, Frroku u lokalizua dhe u vu në pranga në bulevardin “Nënë Tereza”, në kuadër të operacionit policor të koduar “Akuza”. Bashkë me të, u arrestuan edhe dy persona të tjerë, të dyshuar si përkrahës të autorit: Izet Leka, 32 vjeç, dhe Marsildo Ndoja, 30 vjeç.

Policia bën me dije se Izet Leka dyshohet se e ka ndihmuar autorin të largohej nga vendngjarja pas plagosjes, ndërsa Marsildo Ndoja është arrestuar në flagrancë pasi shoqërohej me Frrokun në momentin e ndalimit.

Shkaku: konflikt banal dhe debatet në TikTok

Burime nga hetimi dhe dëshmi të marra nga policia tregojnë se sherri mes të plagosurit dhe autorit të dyshuar ka nisur për debate dhe sharje në TikTok, gjatë lidhjeve “live”. Sipas të dhënave, Frroku e akuzonte Jatën për përmendje dhe fyerje në rrjetet sociale. Dy personat kanë qenë miq më herët, por muajt e fundit marrëdhënia mes tyre ishte prishur.

Ngjarja më 23 nëntor

Plagosja ka ndodhur mbrëmjen e 23 nëntorit 2025, në rrugën “Ramadan Citaku”, në momentin kur Mariglen Jata sapo kishte hyrë në rrugicën e lagjes. Hetimet tregojnë se 36-vjeçari e ka qëlluar me armë zjarri “për motive të dobëta”.

Policia sqaron se autori u kap pas ndjekjes së automjetit me të cilin ai lëvizte, nga Instituti deri në bulevardin “Nënë Tereza”.

Akuzat

  • Fatmir Frroku (36 vjeç): “Vrasja me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.
  • Izet Leka (32 vjeç): “Përkrahja e autorit të krimit” (me masë sigurie “arrest në burg”).
  • Marsildo Ndoja (30 vjeç): “Përkrahja e autorit të krimit” (arrest në flagrancë).

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related