Më 8 shtator, Partia Socialiste do të përballet me një ditë vendimtare, e cila mund të sjellë ndryshime të mëdha në strukturat e saj dhe në politikën shqiptare në përgjithësi. Kryeministri Edi Rama ka shpallur një seri ndryshimesh të rëndësishme brenda PS, duke premtuar të japë një frymë të re dhe force të re në menaxhimin e partisë dhe të qeverisjes. Mësohet se Asambleja e Partia Socialiste do të jetë plot surpriza për mazhorancën, me një ristrukturim të mundshëm që do të ndikojë ndjeshëm në strategjinë dhe përfaqësimin e partisë në nivele të ndryshme. Konkretisht mësohet se mund të ketë ndryshime sa i takon drejtuesve politikë të PS dhe zgjedhja e organeve drejtues të kësaj partie. Pra ky është një moment kyç për Partinë Socialiste dhe për të gjithë ata që ndjekin politikën shqiptare, pasi ndryshimet që priten, do të japin një pamje të qartë për drejtimin e ardhshëm të qeverisjes dhe për ndikimin e saj në skenën politike.
Paralajmërimi
Ndërkohë edhe deputet i Partisë Socialiste, Denis Deliu, paralajmëroi dje një ndryshim të drejtuesve politikë të PS-së në Qarqe. Duke folur në një media, deputeti Deliu zbuloi se pritet që në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, e cila do të mbahet më 8 shtator, pritet të miratohen edhe këto ndryshime. Ai theksoi se ka rreth 4 vjet që kemi të njëjtët drejtues politikë në qarqe dhe besoj se do të ketë ndryshime, pasi ndryshimet kanë treguar se sjellin ndryshime. “Ka disa premtime apo sfida që ndoshta nuk janë realizuar ende dhe është Kryeministri ai që sheh apo vlerëson që kur nuk është realizuar ndonjë premtim apo sfidë, atëherë ai ndërmerr ndryshime”, tha Deliu. Më tej deputeti socialist shprehu bindjen se në zgjedhjet e ardhshme, PS do të fitojë edhe mandatin e 4-t qeverisës.
“Kemi një Shqipëri tjetër në arenën ndërkombëtare, është e besueshme për partnerët ndërkombëtare dhe besoj se ky besim do të na kthehet në investime dhe në 2030, sikundër ka deklaruar edhe Kryeministri, do të jemi anëtar të BE-së”, tha Deliu. Në vijim ai foli për sundimin e ligjit dhe zbatimin e Kushtetutës, duke shtuar se reforma në drejtësi ishte një sfidë shumë e madhe, për sa kohë që kishte shumë skeptikë që nuk do të ndodhte. “Fatmirësisht sot jemi dëshmitarë të disa vendimmarrjeve të rëndësishme që drejtësia ka bërë, kuptohet me mbështetjen e politikës dhe ndërkombëtare. Forcimi i institucioneve ka ardhur si rezultat i zbatimit të ligjit, duke pasur një drejtësi të pandikuar politikisht”, nënvizoi Deliu. Ai u shpreh se ndoshta sot mund të ketë pakënaqësi, por rruga është e qartë “Shqipëria duhet të ketë një drejtësia të pavarur”.
Axhenda e Asamblesë së PS
Nga ana tjetër, është zbardhur agjenda e mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, që pritet të mbahet të dielën e 8 shtatorit. PS përmes një njoftimi bën të ditur se mbledhja e Asamblesë do të nisë në orën 11:00. Në fillim do të bëhet hapja e mbledhjes dhe miratimi i rendit të ditës, më pas do të mbajë fjalën e tij kryeministri Edi Rama. Më pas do të bëhet zgjedhja e organeve drejtuese të Partisë Socialiste dhe e Sekretariatit të Përgjithshëm. “Mbështetur në Statutin e PS, neni 37, pika 5, ju njoftoj se më datën 08.09.2024, ora 11.00, në sallën e Hotel FAFA Durrës, zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS me rend dite: Hapja e mbledhjes dhe miratimi i Rendit të ditës; Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama; Zgjedhja e organeve drejtuese të PS; Të ndryshme. SEKRETARI I PËRGJITHSHËM I PS, Blendi KLOSI”, thuhet në njoftim
