Ndaj deputetit të Sali Berishës, Arjan Ndoja pritet të nisë një hetim për “pastrim parash” dhe “fshehje apo mos deklarim pasurie”. Me një vendim të gjyqtarit të GJKKO-së Erion Çela, SPAK urdhërohet që të nisë hetimet për deputetin, njëherazi ish-prokurorin e shkarkuar nga vettingu. Por si përfundoi Ndoja në SPAK? Mësohet se që prej vitit 2023, ndaj tij kishte nisur një hetim pasuror. Por, duke qenë se Ndoja u bë deputet nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Prokuroria e Tiranës i është drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, që të pushojë çështjen.
Në kushtet kur Ndoja është bërë deputet, Gjykata e Tiranës ka shpallur moskompetencën dhe i është drejtuar GJKKO-së të shprehet mbi këtë kërkesë. Sot, gjyqtari Çela ka konstatuar pavlefshmërinë absolute të kërkesës për pushimin e hetimeve. Ai ka vendosur që të gjitha aktet e hetimit që ka kryer Prokuroria e Tiranës prej 2 vitesh, të kalojnë në SPAK. Ndërkohë që Prokurorinë e Posaçme e urdhëron që të regjistrojë procedimin penal dhe të nisë hetimet për deputetin Ndoja.
Kryebashkiakja e Roskovecit merret e pandehu
Nga ana tjetër, SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kryebashkiaken e Roskovecit, Majlinda Bufi, e cila akuzohet se ka ushtruar presion ndaj një qytetari që të mos votojë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. SPAK e ka marrë të pandehur Bufin për veprën penale të “Përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. SPAK i referohet disa përgjimeve që janë publikuar në media, ku Bufi shfaqet duke i ushtruar presion një qytetari, Gazmend Boranji, i cili ishte mbështetës i kandidatit të opozitës, që të mos shkojë të votojë, as ai dhe as familja e tij. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme tregojnë se Bufi ka përdorur situatën e tij për t’i bërë presion, pasi qytetari kishte përfituar nga programi social i bashkisë për përmirësimin e kushteve të banimit, por nuk nga ana tjetër kishte as dokumente pronësie.
Hetimet e SPAK zbuluan se banesa për të cilën qytetari në fjalë kishte kërkuar ndihmë nga bashkia nuk ishte një shtëpi ekzistuese, por ai sapo i kishte nisur punimet dhe nuk kishte as dokumentacion të plotë pronësie. Pavarësisht kësaj, ai ishte përfshirë në programin e mbështetjes sociale, dhe Bufi ishte në dijeni të situatës. Pak ditë para takimit me kryebashkiaken, punonjës të IMT-së së Bashkisë Roskovec shkuan në vendin ku po ndërtohej objekti dhe i kërkuan qytetarit që të ndalonte punimet, duke pretenduar se ato ishin të paligjshme dhe jashtë ndihmës që ofronte programi social. Më pas, qytetari është thirrur në Bashki dhe ka zhvilluar një takim me Bufin. Sipas SPAK, biseda mes tyre është është “zhvilluar në një formë presioni duke i përmendur se punimet ishin në tejkalim të ndihmës dhe se kishte kryer ndërtim pa leje”.
Ndër të tjera në këtë takim, Bufi i përmend atij faktin se i kishte dërguar mesazhe, ku personi në fjalë i thoshte fitore kandidatit të opozitës. “E di si shpëton ti nga kjo gjë? Nga ky moment e derisa të mbarojnë zgjedhjet të mos hapësh gojë e të shikosh punën tënde. Mos ik fare për votim, vetëm rri në shtëpi dhe shiko punën tënde. Të mos flasësh asnjë fjalë, ti dhe familja jote”, dëgjohet ti thotë Bufi në përgjime qytetarit.
Çfarë njoftoi SPAK?
“Nga analiza e akteve dhe provave të administruara, gjatë hetimeve të kryera për këtë procedim penal, rezulton se e pandehura Majlinda Bufi, në detyrën e Kryetares së Bashkisë Roskovec, në kundërshtim me ligjin, i ka kërkuar shtetasit, G.B, të mos marrë pjesë në votimet për zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023 dhe të mos përfshihet në veprimtaritë zgjedhore të partive të tjera politike. Më datë 6.5.2023, në orën 14:04, është publikuar në media,artikulli me titull, “Mos guxo të votosh – Publikohet audio përgjimi tjetër skandaloz i kryebashkiakes së Roskovecit”. Transkripti i këtij regjistrimi tregon se e pandehura Majlinda Bufi shfaqet e revoltuar nga shtetasi G.B, i cili ishte përfitues i programit social të Bashkisë, “Përmirësimi i Kushteve të banimit për familjet e varfra dhe të pafavorizuara”, i miratuar me Vendim të Këshillit Bashkiak nr. 40 datë 01.3.2022.
Hetimet konstatuan se pavarësisht se kushtet sociale dhe ekonomike të familjes së G.B. e favorizonin atë si përfitues, objekti për të cilin ishte kërkuar mbështetje, nuk ishte banesë ekzistuese, por një objekt i saponisur, me mangësi dokumentare mbi pronësinë. Pavarësisht këtyre rrethanave, rezulton se e pandehura kishte dijeni për përfshirjen e tij në program. Nga hetimi rezultoi se para takimit të regjistruar me kryetaren e Bashkisë, Majlinda Bufi, para zgjedhjeve të datës 14 Maj 2023, në banesën e shtetasit G.B kishin shkuar punonjësit e IMT-së Bashkia, Roskovec, të cilët i kanë kërkuar llogari për punimet e kryera dhe ndalimin e vazhdimit të tyre. Më pas, rezulton se shtetasi, G.B ka zhvilluar takimin në ambientet e Bashkisë me të pandehurën, Majlinda Bufi. Biseda është zhvilluar në një formë presioni duke i përmendur se punimet ishin në tejlkalim të ndihmës dhe se shtetasi G.B kishte kryer ndërtim pa leje.
Ndër të tjera në këtë takim, e pandehura Majlinda Bufi i përmend atij faktin se i kishte dërguar mesazhe, ku shtetasi në fjalë i thoshte fitore kandidatit të opozitës”, njoftoi SPAK. SPAK thotë se “kërkesa e të pandehurës Majlinda Bufi, drejtuar shtetasit G.B është bërë nën kërcënimin e masave administrative dhe kundër vullnetit të tij. Ai ka ushtruar të drejtën e votës në datën 14 Maj 2023, sikurse ka qenë vullneti i tij.” Kryebashkiakja e Roskovecit u denoncua në SPAK nga Partia Demokratike.



