Procesi për përzgjedhjen e drejtorit të ri të përgjithshëm të Policisë së Shtetit ka hyrë në fazën finale, por është shoqëruar me zhvillime të forta dhe polemika.
Sipas ish-zv.ministrit të Brendshëm, Avenir Peka, katër nga 14 kandidatët janë skualifikuar nga SPAK për shkak të lidhjeve të dyshuara me krimin e organizuar, duke u konsideruar si raste me “vijë të kuqe”.
“Katër nga 14 kandidatë nuk kualifikohen për shkak të lidhjeve me krimin. Vetëm kjo tregon sa e rëndë është situata”, u shpreh Peka, duke shtuar se disa prej tyre mbajnë ende poste të rëndësishme në polici.
Ai theksoi se fakti që këta individë kanë kandiduar për postin më të lartë në polici është tregues i një problemi të thellë brenda strukturave të sigurisë. Sipas tij, përzgjedhja duhet të bazohet në profesionalizëm real dhe integritet, jo vetëm në CV.
Gara dhe kandidatët
Komisioni i ngritur nga Ministria e Brendshme ka zhvilluar intervistat me 14 kandidatët në një proces me dyer të mbyllura. Mes emrave në garë janë drejtues aktualë policie dhe figura të njohura të strukturave të rendit.
Ndër kandidatët që konsiderohen potencialë janë drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, si dhe Pëllumb Seferi, i cili vlerësohet si një figurë me integritet dhe i preferuar nga ndërkombëtarët.
Procesi është ndjekur nga afër edhe nga partnerët ndërkombëtarë, përfshirë ICITAP dhe EU4LEA, ndërsa në Ministrinë e Brendshme ka pasur edhe takime me përfaqësues diplomatikë.
Përplasja mes grupeve
Sipas Pekës, gara për drejtimin e Policisë së Shtetit është kthyer në një përballje mes dy grupeve, ku një pjesë e kandidatëve mbështeten nga struktura të pastra, ndërsa të tjerë dyshohet se kanë mbështetje nga elementë kriminalë.
Ai theksoi se ndërhyrja dhe vëmendja ndërkombëtare lidhet pikërisht me nevojën që drejtuesi i ri të jetë i pavarur nga çdo ndikim kriminal.
Hapat e fundit të procesit
Brenda 48 orëve, Komisioni do të bëjë vlerësimin me pikë të kandidatëve dhe do t’i dorëzojë Ministrit të Brendshëm listën me 5 më të mirët.
Më pas, ministri do t’i propozojë Këshillit të Ministrave emrin përfundimtar, i cili do të miratohet në mbledhjen e qeverisë.
Procesi i përzgjedhjes bazohet në një sistem prej 100 pikësh, ku përfshihen kriteret profesionale, integriteti, aftësitë drejtuese dhe elementë shtesë si gjuhët e huaja dhe formimi akademik.
Në një moment kur lufta kundër krimit dhe besimi te institucionet janë në fokus, zgjedhja e drejtuesit të ri të Policisë së Shtetit pritet të jetë një test i rëndësishëm për sistemin e sigurisë në vend.
