Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar në flagrancë dy punonjës të Policisë së Shtetit, pjesë e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë nr. 3 në Tiranë, të dyshuar për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre.
Sipas njoftimit të AMP-së, në pranga kanë përfunduar:
- Dejon Bejko, 25 vjeç, inspektor i Patrullës së Përgjithshme;
- Edison Kuka, 23 vjeç, inspektor i Patrullës së Përgjithshme.
Sipas autoriteteve, dy efektivët dyshohen se kanë kryer në bashkëpunim veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Hetimi është zhvilluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa arrestimi është kryer në kushtet e flagrancës.
AMP njoftoi se hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe për të identifikuar çdo person tjetër që mund të ketë qenë i përfshirë në këtë rast.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera mbi provat e administruara apo mbi dinamikën e plotë të ngjarjes. Çështja mbetet në fazën e hetimeve dhe përgjegjësitë penale do të përcaktohen nga organet kompetente në përputhje me ligjin.
