Komisioni Europian ka reaguar zyrtarisht lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se Kuvendi i Shqipërisë duhet ta trajtojë pa vonesë këtë kërkesë.
Në një përgjigje zyrtare “on the record”, Komisioni Europian shprehet se është përgjegjësi e Kuvendit të adresojë në kohë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij dhe se lufta efektive kundër korrupsionit mbetet një prioritet kyç për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë.
Sa i përket përplasjes institucionale mes qeverisë, SPAK dhe Kuvendit, Komisioni nënvizon se i kushton rëndësi shumë të madhe sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri. Ai thekson se puna e bërë në kuadër të reformës në drejtësi monitorohet dhe raportohet vazhdimisht në kontekstin e negociatave të anëtarësimit në BE.
Në raportin për Shqipërinë për vitin 2025, Komisioni Europian ka vënë në dukje se, ndonëse qëndrueshmëria e sistemit gjyqësor është përmirësuar, përpjekjet e zyrtarëve publikë ose politikanëve për të ushtruar presion të padrejtë mbi drejtësinë mbeten një shqetësim serioz. Për këtë arsye, rekomandohet forcimi i llogaridhënies dhe reduktimi i ndërhyrjeve politike në gjyqësor dhe prokurori.
Komisioni bën të ditur se institucionet europiane janë në dialog të rregullt me autoritetet shqiptare dhe se në fillim të marsit do të zhvillohet Komiteti BE–Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, i cili do të shërbejë si një tjetër mundësi për të diskutuar ecurinë e reformës në drejtësi dhe respektimin e standardeve europiane.
