Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të rikthejë për plotësim hetimesh në SPAK çështjen ndaj gjyqtares Irena Gjoka, pasi Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar pushimin e procedimit penal.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Marinela Osmani, e cila i ka lënë SPAK-ut një sërë detyrash konkrete hetimore dhe një afat prej 6 muajsh për plotësimin e tyre.
Gjyqtarja Irena Gjoka ishte kallëzuar nga Partia Demokratike, me pretendimin se kishte fshehur në formularin e dekriminalizimit një vendim dënimi të dhënë ndaj saj nga një gjykatë në Greqia.
Megjithatë, SPAK kërkoi pushimin e çështjes me argumentin se procesi në Greqi ishte zhvilluar në mungesë dhe se nuk provohej që Gjoka të kishte dijeni për vendimin. Sipas organit të akuzës, ndjekja penale lidhur me këtë rast konsiderohej gjithashtu e parashkruar.
Pas vendimit të GJKKO-së, avokati Genc Gjokutaj e cilësoi rikthimin e dosjes për hetime si një hap të rëndësishëm dhe akuzoi SPAK-un për tentativë për të mbyllur çështjen pa hetime të plota.
“Gjykata e rivendosi në shina këtë proces, duke detyruar SPAK të kryejë veprimet e nevojshme hetimore për të zbuluar të vërtetën”, deklaroi Gjokutaj para mediave.
Në dëshminë e saj në Prokurorinë e Posaçme, Irena Gjoka ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për ndonjë procedim penal apo vendim gjyqësor ndaj saj në Greqi.
Emri i gjyqtares është përfshirë shpesh në debatet politike, pasi ajo ka qenë gjyqtarja e hetimeve paraprake në dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, ku nën akuzë ndodhet edhe Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
