Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, paralajmëroi se vendi po përballet me mjedisin më kompleks të sigurisë që nga Lufta e Dytë Botërore, duke theksuar rritjen e presionit ushtarak nga Kina, afrimin strategjik Pekin–Moskë dhe programin bërthamor të Koresë së Veriut.
Në fjalimin e saj para parlamentit pas fitores zgjedhore, ajo njoftoi rishikimin e tre dokumenteve themelore të sigurisë për hartimin e një strategjie të re mbrojtëse. Qeveria synon të lehtësojë disa kufizime për eksportin e pajisjeve ushtarake dhe të përshpejtojë ndryshimet rregullatore për të forcuar industrinë vendase të mbrojtjes.
Takaichi bëri të ditur se do të krijohet një këshill kombëtar i inteligjencës dhe do të merren masa për të ulur varësinë nga vende të caktuara, përmes diversifikimit të zinxhirëve të furnizimit dhe bashkëpunimit me aleatët për sigurimin e lëndëve të para strategjike, përfshirë mineralet e rralla pranë ishullit Minamitorishima.
Megjithëse kushtetuta pacifiste e Japonisë kufizon rolin ushtarak të vendit, Tokio ka rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje që nga viti 2023, me objektivin për të arritur shpenzime në nivelin 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në fund të marsit.
Në planin ekonomik dhe të sigurisë kombëtare, kryeministrja propozoi gjithashtu krijimin e një mekanizmi të ngjashëm me CFIUS-in amerikan për të monitoruar investimet e huaja në sektorë strategjikë dhe rishikimin e rregullave për blerjen e tokës nga shtetas të huaj. Ajo konfirmoi edhe përshpejtimin e rinisjes së disa reaktorëve bërthamorë të mbyllur, si pjesë e strategjisë për siguri energjetike dhe reduktim të varësisë.
