SPAK godet rrjetin ndërkombëtar të narkotrafikut, 8 episode kokaine në Europë

Data

SPAK ka finalizuar një operacion të gjerë kundër një grupi të strukturuar kriminal ndërkombëtar të përfshirë në trafikun e kokainës dhe pastrimin e parave, duke sekuestruar pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro.

Sipas njoftimit zyrtar, GJKKO ka caktuar masën “arrest në burg” për 11 shtetas shqiptarë, ndërsa një pjesë e tyre janë arrestuar dhe të tjerë janë ende në kërkim, disa jashtë vendit.

Hetimet zbuluan se gjatë viteve 2019–2021, rrjeti kriminal ka operuar në Amerikën Latine dhe në disa shtete europiane si Holanda dhe Belgjika, duke organizuar të paktën 8 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha.

Në një nga rastet më të rënda, më shumë se 1 ton kokainë u transportua nga Peruja drejt portit të Roterdamit, e fshehur në kontejnerë me produkte ushqimore. Në episode të tjera janë dokumentuar sasi që variojnë nga qindra kilogramë deri në mbi 2 ton kokainë, të transportuara nga vende si Ekuadori dhe Kolumbia drejt Europës.

Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me agjenci ndërkombëtare si Europol dhe Eurojust, si dhe autoritetet në Francë, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Në kuadër të hetimit janë sekuestruar 232 pasuri, përfshirë 60 prona të paluajtshme si apartamente, toka dhe hotele në disa qytete të Shqipërisë, 89 automjete të ndryshme dhe 72 llogari bankare të lidhura me personat nën hetim.

Sipas SPAK, grupi dyshohet se ka përdorur kompani dhe struktura biznesi për të fshehur dhe qarkulluar të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal, duke krijuar një skemë të mirëorganizuar të pastrimit të parave.

Ndërkohë, Policia e Shtetit dhe institucionet përkatëse kanë nisur procedurat për bllokimin dhe administrimin e këtyre aseteve, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe arrestimin e të gjithë personave të përfshirë.

Sqarim: Personat e përfshirë konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim gjykate të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related