SPAK godet AKSHI-n/ Berisha: 800 transaksione nga thesari në dy kompani, Mirlinda Karçanaj kryemafiozja

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër pas urdhër-arresteve të lëshuara nga SPAK për zyrtarë dhe biznesmenë të lidhur me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), mes tyre edhe drejtoresha Mirlinda Karçanaj, e cila ndodhet aktualisht nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Gjatë një deklarate për mediat, Berisha e cilësoi Karçanajn si “kryemafioze”, duke e akuzuar se ka qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që, sipas tij, ka kontrolluar tenderat dhe fondet publike përmes AKSHI-t.

Sipas Berishës, vetëm brenda një viti janë kryer rreth 800 transaksione nga Thesari i Shtetit drejt llogarive të dy kompanive, të cilat ai i përmendi si të lidhura me rrethin familjar dhe shoqëror pranë qeverisë.

“Janë 800 transaksione në një vit nga thesari i shtetit në kontot e dy kompanive. Kjo është skema”, deklaroi Berisha.

Kryedemokrati hodhi gjithashtu akuza se biznesmeni Ergys Agasi, për të cilin SPAK ka caktuar masën “arrest me burg”, është larguar nga Shqipëria prej të paktën tre javësh, duke e cilësuar atë të arratisur.

Në deklaratën e tij, Berisha përmendi edhe emra të tjerë, përfshirë Ermal Beqirin, duke i cilësuar si pjesë të një organizate kriminale që, sipas tij, ka përfituar miliona euro nga tenderat publikë përmes AKSHI-t.

“Këta janë grup i strukturuar kriminal, më saktë organizatë kriminale”, u shpreh Berisha, duke shtuar se hetimi duhet të shkojë deri në fund dhe të zbardhë të gjithë skemën e përfitimeve nga fondet publike.

SPAK ka konfirmuar se hetimi lidhet me 12 procedura tenderuese të AKSHI-t, ndërsa ndaj disa zyrtarëve dhe biznesmenëve janë vendosur masa sigurie për shkelje të barazisë në tendera, konkurrencë të paligjshme, pastrim parash dhe vepra të tjera penale.

Hetimet vijojnë, ndërsa Prokuroria e Posaçme nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me deklaratat politike të bëra nga opozita.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related