SPAK e SHBA godasin grupin kriminal që kalonin qytetarë me dokumente false nga Hani i Hotit për në Amerikë e Kanada…

Data

Një grup që ndihmon qytetarë shqiptarë të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme është goditur pas hetimeve të nisura në vitin 2023. Pjesë e grupit ishin edhe dy policë të pikës së kalimit kufitar Hani i Hotit, të cilët i kalonin shqiptarët me dokumente false dhe pa i regjistruar në TIMS. GJKKO ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për organizatorin Luc Melaj, 57 vjeç, dhe masën arrest shtëpie Tonin Melaj, 55 vjeç, dhe Bashkim Cokaj, 58 vjeç, me detyra ndihmës specialist, kontrollor i vijës së dytë në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit. Po ashtu, Gjykata e Posaçme ka vendosur masën arrest shtëpie për dy persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, Emanuel Melaj, 24 vjeç dhe Gezin Camaj, 49 vjeç. Ndaj të dyve rëndon akuza për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Ndërkohë, ndaj dy policëve rëndon akuza për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndërsa organizatori akuzohet për 4 vepra penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave dhe i vizave” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Masat e lëshuara nga GJKKO janë ekzekutuar nga Policia e Shtetit, ndërsa grupi kriminal është goditur pas hetimeve të SPAK dhe me partnerët amerikanë. Shqiptarët që kalonin me dokumente false dhe pa u regjistruar në sistemin TIMS kishin destinacione Kanadanë dhe Amerikën. Pas kontrolleve në banesat e tyre, policia sekuestroi 8125 euro, 625 000 lekë, 3060 dollarë amerikanë, 240 dollarë kanadezë, si dhe 17 celularë, 3 automjete, 1 USB, 21 fishekë, blloqe shënimesh, regjistra hyrje-daljesh, bileta udhëtimi, mandate pagesash dhe mandate bankash.

Masat e sigurisë:
Arrest me burg

Luc Melaj, 57 vjeç
Arrest shtëpie

Emanuel Melaj, 24 vjeç
Gezin Camaj, 49 vjeç
Tonin Melaj, 55 vjeç
Bashkim Cokaj, 58 vjeç
Mashtrimi me bursat e studimit në SHBA, arrestohet ‘koka’ e skemës
Sakaq, strumbullari i skemës më të madhe të mashtrimit në sistemin arsimor në të gjithë vendin, Ermes Hoxhalli u arrestua këtë të hënë me akuzën e falsifikimit kompjuterik dhe të dokumenteve. Banues në Devoll dhe vetëm 20 vjeç, ai kishte arritur të bënte pjesë të supermashtrimit edhe zyrtarë të arsimit, vepër penale për të cilën u mor në hetim edhe drejtoresha e gjimnazit Qemal Stafa Klotilda Jaupi. Sipas policisë, Ermes Hoxhalli i mashtronte institucionet arsimore, me projektet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24”. Programet u premtonin nxënësve dhe mësuesve, udhëtime falas në Shtetet e Bashkuara. 20-vjeçari kishte arritur të krijonte një identitet të rremë, duke u angazhuar me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe shkollave në mbarë vendin. Viktima të mashtrimit, siç bën me dije policia u bënë qindra studentë, mësues dhe zyrtarë arsimorë. Në këtë hetim kompleks që zgjati 6 muaj, pjesë ishte edhe njësia e Hetimeve Kriminale pranë Ambasadës së ShBA-së në Tiranë. Ishte ambasada amerikane që pas arrestimit bën me dije se 20-vjeçari mashtronte duke paraqitur programe si të lidhura me ambasadën dhe prodhonte dokumente që mbanin vulat dhe emrat e zyrtarëve të ambasadës. Në qershor të këtij viti, nisën hetimet për zyrtaren Valentina Lamaj dhe drejtoreshën e gjimnazit “Qemal Stafa”, Klotilda Jaupi, si pjesë e kësaj skeme mashtrimi.

Reagimi Ambasadës Amerikanë në Tiranë

Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar në lidhje me arrestimin e 20-vjeçarit Ermes Hoxhalli, i cili mashtronte institucionet arsimore, me projektet e ashtuquajtura “Let’s Talk Together about US 23” and “Let’s Talk Together about US 24”. Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA ka falënderuar policinë dhe Prokurorinë e Tiranës për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë. ‘Ambasada e SHBA falënderon Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Tiranës dhe i përgëzon për bashkëpunimin me Njësinë e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë. Njësia e Hetimeve Kriminale Ndërkombëtare dhe Departamenti i Hetimeve Kriminale të Policisë së Shtetit kanë një njësi të posaçme që kryen hetime të përbashkëta. Një hetim gjashtë-mujor nga kjo njësi speciale kulmoi me arrestimin e djeshëm të një individi që mashtronte duke paraqitur programe si të lidhura me ambasadën dhe prodhonte dokumente që mbanin vulat dhe emrat e zyrtarëve të ambasadës. Ambasada falënderon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, Drejtorin e Policisë Kriminale Neritan Nallbati, kreun e Prokurorisë së Tiranës Arenc Çela, prokuroren e çështjes Eloida Goxhi dhe oficerët e përkushtuar të Policisë së Shtetit për ndihmën e dhënë për këtë çështje.’- njofton ambasada e SHBA.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related